Antonio Conte u zyrtarizua në pankinën e Interit pas muajsh të tërë negociatash, që e vendosin ish-trajnerin e Kombëtares italiane në drejtimin e një skuadre ku e urrenin, e ndoshta e urrejnë ende shumë tifozë. Ish-tekniku i Juventusit u prezantua në kanalet sociale të klubit zikaltër, me një mënyrë të veçantë.
Ai ka pranuar të firmosë për 3 vite me Interin, një kontratë e cila do t’i garantojë 9 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset e majme që do ta çojnë kuotën e tij në 12 milionë euro në harkun e 12 muajve. E kaluara në Torino duket se është lënë për momentin në hije.
“Nis një kapitull i ri në jetën time, për të cilin jam shumë entuziast. Do të kërkoj përmes punës që të shpërblej të gjithë besimin, që presidenti dhe drejtuesit më dhanë. Zgjodha Interin për shkak të kësaj marke, për seriozitetin dhe projektin ambicioz. Më befasoi dëshira e klubit për t’u ngjitur aty ku e meriton”, tha Antonio Conte, trajner i Interit.
Antonio Conte ka qenë i qartë me drejtuesit në planin e merkatos, një temë e cila solli përplasje të pariparueshme kur ishte te Chelsea, e më pas shkarkimin e trajnerit. Edin Dzeko dhe Romelu Lukaku janë objektivat kryesorë në sulm, e drejtuesit e skuadrës milaneze nuk do të kursehen për dëshirat e trajnerit të ri.