Ka vetëm një javë që ka shkuar te Totenhemi dhe trajneri italian, Antonio Conte, ka vënë ligjet e tij në skuadër, ku përfshihet edhe dieta ushqimore. Sipas “Daily Mail”, Conte e ka merak të veçantë mënyrën si ushqehen futbollistët dhe ka ndryshuar dietën e tyre me qëllimin për ta bërë skuadrën më të gjallë.
Totenhemi mban vendin e 9-të në klasifikim dhe Konte duhet të ndryshojë shumë gjëra, duke nisur nga tavolina. Kush e njeh trajnerin italian, e di mirë se është e ndaluar ta ekzagjerosh me ushqimin. Një rregull që ai e vendosi edhe tek Interi dhe Çelsi, pasi kërkon që asgjë të mos i lihet rastësisë.
Pasi vuri re se disa lojtarë janë mbi peshë, Conte vendosi të ndërhyjë menjëherë tek ushqimet që ata konsumojnë. Së pari ai ka urdhëruar që të gjithë duhet të drekojnë bashkë në mesditë. Pastaj edhe disa indikacione praktike, që do të thotë eliminim i ushqimeve të rënda. Konte ka hequr nga menuja paninet dhe disa salca që në Angli përdoren gjerësisht, si keçapi dhe majoneza.
Jo vetëm kaq. Ai ka reduktuar edhe sasinë e lëngut të frutave që u jepet lojtarëve, si dhe sasinë e vajit dhe gjalpit që përdoren në kuzhinë. Italiani gjithashtu u ka kërkuar futbollistëve që të konsumojnë sa më shumë fruta.
Mënyra e të ushqyerit është një aspekt, të cilit Konte i kushton shumë rëndësi. Bashkë me mentalitetin, sigurisht. Për këtë arsye ai nuk ka humbur kohë dhe ka vendosur rregullat e tij. Vetëm një orë pas zyrtarizimit në stolin e Totenhemit, ai ka parë gjithçka me kujdes në seancën e parë stërvitore, nga e cila, siç bën me dije “The Athletic”, lojtarët kanë dalë të dërrmuar.
Vetë Conte është një tip shumë sportiv, falë dietës së shëndetshme dhe stërvitjes që kryen. I pëlqen të lodhet dhe shpesh në rrjetet sociale ka postuar seancat e tij të forta stërvitore. Po ashtu, ai ka publikuar edhe menunë e tij tip, me një drekë të lehtë, me bazë domatesh, toni dhe proshute.