Antonio Conte është tashmë në veprim. Detyra e tij do të jetë rigjallërimi i Tottenham, që aktualisht lundron në Premier League në mesin e renditjes dhe ka grumbulluar vetëm 4 pikë në 3 ndeshje të “Conference League”.
Mes ideve që trajneri nga Salento do të sjellë në Londër nuk ka vetëm skema taktike dhe punën në terren, por edhe disa këshilla për jetën e lojtarëve të tij. Kane dhe shokët e tij janë të paralajmëruar. Me Conte trajner, jeta brenda dhe jashtë fushës nuk do të jetë kurrë e njëjtë.
Ndërkohë, lidhur me misionin që ka marrë përsipër, trajneri italian shton: “Të jem trajner i Tottenham-it është një nder i madh për mua. Dua ta shpërblej besimin e klubit. Filozofia ime e lojës? Është shumë e thjeshtë, të luash futboll të mirë dhe me pasion për tifozët tanë. Qëllimi im është të ndërtoj ekip të qëndrueshëm dhe të ekuilibruar.
E kaluara ime si trajner dhe eksperiencat në Itali? Janë gjëra të së shkuarës, mendoj për të tashmen. Te Juventusi hapa një cikël prej 9 titujsh radhazi, të cilin e ndërpreva duke fituar me Interin. E kaluara është e rëndësishme, unë jam krenar për të, por tani fokusohem tërësisht te kjo sfidë e re.
Tottenham më kishte kërkuar që në verë, por sapo kisha përfunduar dy sezone të lodhshme me Interin. Nuk ishte koha e duhur për të filluar një eksperiencë të re, preferova të shijoja kohën me familjen time.
Tottenham është një klub shumë i rëndësishëm në Angli, me një stadium dhe terrene të mrekullueshme stërvitor. Klubi me të vërtetë më donte, kjo ishte koha e duhur për të ardhur. Mendoj se tifozët meritojnë një ekip konkurrues. Kërkoj luftëtarë në fushë, do të bëj gjithçka për të fituar respektin e tyre”.