Antonio Conte ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes me Lazion, por gjithçka e nisi me një ndjesë për episodet e pakëndshme të ndodhura në “Allianz Stadium” me presidentin e Juves, Andrea Agnelli dhe më pas foli me superlativa për bardhekaltrit.
Tani që jeni më i kthjellët, keni një koment për episodet në fund të ndeshjes me Juven?
Ajo që ndodhi ishte e shëmtuar dhe e patë të gjithë. Dua të kërkoj ndjesë, pasi ofendimeve dhe provokimeve iu përgjigja në një mënyrë jo fort të përshtatshme. Duhej të isha më i qetë dhe më elegant, për të mos dhënë shfaqje të tillë.
Çfarë ndeshjeje prisni nesër ndaj Lazios?
Është një kundërshtar i vështirë, që vjen pas disa fitoresh radhazi, ndaj do të jetë një test interesant. Pres një ndeshje të fortë, por edhe stimuluese, duke parë skuadrën që kemi përballë.
A do të konfirmohet sërish dyshja Barella-Vidal nesër?
Vidal nuk do të jetë pasi ka një problem fizik dhe nuk është stërvitur me skuadrën këtë javë. Duhet të punojë për t’u rikuperuar, por nuk e di a do ta kemi në dispozicion për ndeshjen tjetër. Barella do të luajë nga fillimi dhe duhet të vazhdojë të punojë, pasi ka një marzh shumë të lartë përmirësimi. Ashtu si ai, edhe gjithë skuadra mund të përmirësohet më shumë, por për këtë duhet punë.
Pse shpërdoron kaq shumë skuadra?
Është e vërtetë që krijojmë shumë raste, por shpërdorojmë po aq shumë. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt dhe të shënojmë pak më shumë.në fund të fundit ndeshjet fitohen me gola dhe nëse nuk shënon, ndodh të eliminohesh si nga Champions dhe Kupa e Italisë.
A është gati për të luajtur Vecino?
Vjen nga një dëmtim që e mbajti gjatë jashtë fushave dhe po provon të gjejë formën e tij më të mirë e të tregojë se është lojtar për Interin. Është një mesfushor që vrapon shumë dhe shkon shpesh në zonë, duke na shtuar numrat e centimetrat, ndaj unë besoj shumë te ai, por më parë të gjejë formën e duhur.
Skuadra nuk pëson prej 4 ndeshjesh radhazi. Çfarë keni ndryshuar?
Në fillim donim të ishim më determinantë dhe luanim shumë lart, duke lënë shumë fushë, por kjo po na kushtonte ndaj tani kemi zbritur pak metra dhe mbulojmë më mirë hapësirat. Tani na duhet të rritim më shumë ekuilibrat dhe të menaxhojmë më mirë presingun e kundërshtarëve.
Brozoviç përmirësohet gjithmonë e më shumë në rolin e tij…
Është një djalosh shumë i zoti dhe simpatik. Vrapon shumë kilometra, por duhet të përmirësojë disa aspekte, për të vënë energjitë që ka në dispozicion të skuadrës. E rëndësishme është që prek shumë topa, por me kalimin e kohës mund të përmirësohet edhe më shumë.