Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte tha se Roma do t’i propozojë Bashkimit Evropian që të rihapë në nëntor negociatat për zgjerimin e bllokut për të përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi BE bllokoi fillimin e negociatave me dy vendet e Ballkanit.
Sipas tij, “nëse Europa krijon ankthe të tilla në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm që nuk favorizon vetveten, por rrezikon të favorizojë vende të tjera që synojnë të zgjerojnë sferën e tyre të influencës”.
Deklaratën Giuseppe Conte e bëri gjatë një konferencë për shtyp në fund të samitit të liderëve të BE në Bruksel.
Conte tha më herët në samit se vendimi për të mos filluar negociatat ishte një “gabim historik”, ndërsa vuri në dukje se Italia do të qëndrojë pranë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në dokumentin e publikuar nga Brukseli raportohet se KE do t’i rikthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj 2020.
Liderët e Bashkimit Evropiane kanë zhvilluar një debat të gjatë deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke mos arritur në një marrëveshje.
Kjo për shkak të vetos të vendosur nga Franca.
Dështimi i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nxiti reagime dhe shqetësime për pasojat e një vendimi të tillë.