Sport Conte poshtëron Eriksen me ndërrimet, danezi nuk i bashkohet festës së ekipit

Conte poshtëron Eriksen me ndërrimet, danezi nuk i bashkohet festës së ekipit

Tre fitore radhazi në kampionat kanë rikthyer qetësinë dhe optimizmin në klubin e Interit, megjithatë në grup ka ende një çështje që nuk po merr zgjedhjen e duhur.

Bëhet fjalë për danezin Christian Eriksen, i cili erdhi me bujë të madhe në janar te zikaltrit, por gjatë thuajse një viti nuk ka arritur të lërë gjurmë dhe shpesh është nisur nga pankina.

Kanë mjaftuar disa ankesa në mediat daneze për aktivizimin e paktë, që Conte të “dënojë” danezin, teksa të shtunën nw mbrëmje për herë të tretë në 4 ndeshjet e fundit, u aktivizua në minutat e fundit.

Pasi luajti pak më tepër se 5 minuta ndaj Realit të Madridit e Sassuolos, danezi u poshtërua sërish nga trajneri Conte të shtunën, pasi u aktivizua në minutën e parë shtesë nga tre të tilla, në një moment kur gjithçka kishte mbaruar.

Kaq mjaftoi që menjëherë pas vërshëllimës finale të arbitrit, danezi të mos iu bashkohet festës së shokëve për fitoren, por të vrapojë drejt dhomave të zhveshjes, i zhgënjyer tej mase nga vendimi i trajnerit.

I pyetur për këtë çështje pas ndeshjes, Antonio Conte mohoi ta ketë bërë atë zëvendësim për poshtërim dhe u shpreh se ka marrëdhënie optimale me Eriksen dhe se çdo vendim e merr për të mirën e Interit.