Trajneri i ri i Interit, Antonio Conte, ka dhënë një intervistë për GQ Italia. Italiani e ka nisur nga imazhi i tij: “Shikoni, rezultatet që kam arritur dhe shpejtësia me të cilën i kam arritur kanë krijuar një imazh të caktuar. Unë krijoj pritshmëri. Kur ndërmarr një aventurë të re, klubi pret shumë nga unë. Lojtarët kanë besim se do të përmirësohen, tifozët presin gëzime të mëdha”.
A ka qenë vendimtar Beppe Marotta në zgjedhjen e Interit?
“Ka ndihmuar, ka qenë një konfirmim i përshtypjes që kisha nga larg. Marotta është një drejtues që ka fituar shumë, nëse e kërkon një minutë pasi Juventus e ka lënë të lirë, do të thotë se ke qëllime serioze, që nuk lë asgjë pa provuar për të arritur në majë.
Të flasim qartë: me përjashtim të disa rasteve të veçanta, në Serinë A nuk luftohet për vendin e parë prej tetë sezonesh. Inter kërkon të ndryshojë këtë situatë, mënyra si po lëviz tregon dëshirën për të luftuar. Nuk më ka bindur vetëm Marotta. Kur kam folur me presidentin Zhang, më ka goditur vendosmëria e tij. Vetë Ausilio i ka idetë e qarta. Interi është një klub ambicioz, ku të gjithë ecin në të njëjtin drejtim”.
Cili është lojtari juaj ideal?
“Ju them dy. Janë modele të ndryshëm, por njësoj fitues. I pari është Andrea Pirlo, një lojtar i jashtëzakonshëm, i aftë të bëjë një pasim të saktë nga 70 metra, por edhe një përbindësh në stërvitje. E morëm tek Juventus, sepse Milan-i nuk i rinovoi kontratën, ka qenë lokomotiva e ciklit tim. Mund t’u kërkoja çdo gjë lojtarëve, nëse ke Pirlo-n që udhëheq grupin, askush nuk bën zë.
Shembulli i dytë është N’Golo Kante, sepse e pasuron në mënyrë të pabesueshme një skuadër me lojën e tij. Bën kilometra të tërë gjatë 90 minutave, vrapon për të ndihmuar skuadrën në çdo vështirësi dhe e bën me një buzëqeshje në fytyrë. Me njerëz të tillë fitohet”.