“Gur-gur bëhet mur” është një shprehje e vjetër popullore shqiptare e cila në këtë rast i përshtatet edhe një klubi si Interi. Të paktën ky është mendimi i trajnerit të zikaltërve Antonio Conte. Tekniku 49-vjeçar është i vetëdijshëm se ka marrë përsipër përgjegjësinë për ta rikthyer skuadrën në nivelet e dikurshme, por në të njëjtën kohë predikon durim sepse e ardhmja do ndërtohet gradualisht.
“Në Itali është një skuadër si Juventusi që ka ndërtuar shumë, e më pas vjen Napoli, me këtë dua të them se do të duhet kohë që të ngjitemi në këto nivele, nuk mund të ndërtojmë grataçela brenda ditës. Gjithsesi rruga jonë ka nisur dhe dëshirojmë të jemi të aftë të luftojmë kundër kujtdo.”
Më pas ish-trajneri ndër të tjera i Juventusit, përfaqësueses italiane dhe Chelsea-t u ndal edhe tek pronarët e Interit më konkretisht tek presidenti Steven Zhang.
“Pronarët e klubit dhe presidenti Zhang janë njerëz vizionarë. Kanë investuar tek Interi sepse mendojnë se është skuadra e duhur për të shkuar lart. Tek presidenti shoh një figurë të re që është gati të bëjë diçka të rëndësishme për Interin.”
Skuadra ziklatër po vijon fazën përgatitore në kuadër të startit të Serisë A. Interi do të zbresë në fushë kundër Tottenhamit më datë 4 Gusht në një takim të vlefshëm për ICC.