Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një valë tjetër të koronavirusit në vjeshtë, shumë shtete europiane po marrin hapa konkrete për rinisjen e procesit mësimor. E tillë është edhe Britania e Madhe.
Sipas kryeministrit Boris Johnson, hapja e shkollave në shtator është një detyrim sa moral aq edhe social e ekonomik. Deklarata vjen pas publikimit të një studimi pak ditë më parë, sipas të cilit vendi rrezikon një valë të dytë me pandeminë në stinën e dimrit, dy here më të fuqishme se fillimi i saj. Duke e cilësuar hapjen e shkollave dhe rinisjen e mësimit si një prioritet kombëtar Johnson tha se institucionet arsimore do të jenë të fundit që do të mbyllen në rast të një izolimi tjetër. “Kosto ekonomike për prindërit që nuk mund të punojnë nëse fëmijët nuk shkojnë në shkollë është e madhe dhe vendit nuk i bën mire mosedukimi i brezave të rinj”, tha Johnson.
Italia është një tjetër vend që ka marrë vendimin e rikthimit të nxënësve në bankat e shkollës më 14 shtator. “Ky është një hap që nuk ka kthim pas”, tha gjatë një konference ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza. “Duhet të jemi të kujdesshëm para se të vendosim nga cilat gjëra duhet të heqim dorë. Do preferoja më shumë hapjen e shkollave sesa aktiviteteve sportive”.
Të njëjtin vendim pritet të marrë edhe Gjermania me rinisjen e procesit që nga fundi i muajit gusht, por nën masa të rrepta sigurie.