Europa duket se e ka arritur kulmin e pandemisë së koronavirusit dhe tashmë përhapja ka nisur të stabilizohet dhe të vihet nën kontroll. Vendi më problematik deri më tani, Spanja shënoi një rënie të ndjeshme të numrit ditor të viktimave.
Këtë të diel u raportua për 674 të vdekur, shifra më e ulët prej 26 marsit dhe hera e parë që ky nivel bie nën 800 prej më shumë se një jave. Numri i përgjithshëm i viktimave arriti në mbi 12 mijë. Edhe numri i të prekurve ditorë ka arritur shifrën më të ulët prej 22 marsit, mbi 6 mijë, duke e çuar totalin e tyre në afro 131 mijë.
Italia dhe Franca po ashtu shënuan rënie të numrit të viktimave dhe të të infektuarve ditorë duke dhënë po ashtu shpresë. Të shtunën Italia shënoi 681 vdekje nga 766 të njoftuara të premten. Ndërsa Franca 411 nga 588 të së premtes, të dy vendet nga 100 vdekje më pak në dy ditë.
Gjithsesi Spanja renditet e para në Europë për nga numri i viktimave dhe të prekurve, e dyta në shkallë botërore pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjermania është aktualisht vendi nivelin më të ulët të vdekjeve nga koronavirusi në botë. Edhe pse ka rreth 100 mijë të prekur, viktimat përbëjnë rreth 1.5% të totalit të tyre, si askund tjetër.
Në të kundërt shkon trendi amerikan ku shifrat e fundit ditore shënuan 1324 viktima ditore duke e çuar në total në mbi 8500 numrin e përgjithshëm të të vdekurve. Shifra totale e të prekurve është rritur ndjeshëm këtë fundjavë në mbi 311 mijë. Ekspertët thonë se refuzimi i presidentit Tramp për të penguar daljen e banorëve nga shtëpitë për frenuar përhapjen e koronavirusit, ka ndikuar negativisht.
Në gjithë botën përllogariten mbi 65 mijë viktima dhe 1.2 milionë të prekur.