Nisur nga dita e nesërme, do të lehtësohen të tjera masa kufizuese që u ndërmorën disa javë më parë për shkak të pandemisë së COVID-19. Nga e hëna shtohen si zona të gjelbra 14 bashki dhe zgjerohet orari i qarkullimit deri në orën 21:00.
Bashkitë që hyjnë në pjesën e gjelbër të hartës janë Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla. Ndërkaq bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier janë cilësuar si zona të kuqe dhe nuk lejohet qarkullimi pas orës 17:30 dhe pa autorizim.
Nga nesër, do të lejohen të ushtrojnë veprimtari sipas protokolleve strikte të sigurisë, bizneset si klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare. Nga ana tjetër pas datë 18 maj do të hapen baret, restorantet, muzetë dhe lejohen stërvitjet individuale të sportistëve. Sa u takon të gjithë të riatdhesuarve, ata do të vetëkarantinohen në banesë.
Gjithashtu, prej datës 18 Maj planifikohet të hapen nën rregulla rigoroze, muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike sipas protokolleve dhe udhëzimeve të miratuara. Por, do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet kulturore dhe sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Po kështu do të vijojë të mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve me shumë se pesë personave në ambientet publike si dhe do të mbetet i mbyllur dhe transporti publik.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit është dyfishuar numri i personave të prekur me COVID-19, krahasuar kjo me një ditë më parë. Nga 170 persona të dyshuar, 12 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 868 qytetarë në të gjithë vendin, 75 % e tyre janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.
Aktualisht në dy spitalet COVID, në Spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk ka asnjë humbje jete.