Qeveria shqiptare ka dërguar në Itali mjekë dhe infermierë në ndihmë të situatës së krijuar nga pandemia.
Dy nga 30 mjekët shqiptarë të nisur drejt Bergamos janë Alma Neco dhe Adriada Meta. Vajzat me profesion anesteziste u nisën këtë të shtunë drejt Italisë për t’iu ardhur në ndihmë kolegëve të tyre italianë.
Qeveria shqiptare ka marrë vendimin më 27 mars për të dërguar në Bergamo, epiqendrën e virusit në Itali, 30 mjekë që do u vijnë në ndihmë kolegëve italianë. Fondi prej 11 milionë lekë për pagat e mjekëve dhe infermierëve do të paguhet nga qeveria shqiptare.
Mjekët dhe infermierët shqiptarë do u vijnë në ndihmë kolegëve italianë, të cilët po përballen prej më shumë se një muaj me tragjedinë që po shkakton COVID-19.
Shqipëria bëhet shteti i radhës pas Kinës, Rusisë dhe Kubës, që dërgon mjekë për të shpëtuar italianët nga koronavirusi. 66.414 është numri i personave të infektuar në Itali nga COVID-19, ndërsa 9.134 njerëz kanë humbur jetën.