Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino komentoi në “Ilva Now” në EuronewsAlbania debatin se kur mund të ketë ardhur në Shqipëri pandemia globale e COVID-19. Ajo theksoi se nuk ka të dhëna nëse virusi ka hyrë në Shqipëri që në janar, pasi për të konfirmuar këtë ende nuk ka prova shkencore.
“Të gjithë mund të kenë pretendime. Disa thonë se ka qarkulluar edhe në dhjetor. Unë jam skeptike. Kolegët që kanë nxjerrë grafitë në janar, nuk u ka shkuar mendja që ka qenë koronavirus. Gjatë muajit janar dhe shkurt kemi pasur qarkullim të dendur të gripit. Që të themi se ka pasur Covid, duhet të testojmë mostrat. Ne kemi testuar mostra, por nuk kemi gjetur, do t’i ritestojmë, por deri tani nuk kemi pasur. Nuk mund të themi se kemi pasur koronavirus që në janar, pasi kjo duhet vërtetuar”, theksoi ajo.
Më tej doktoresha shpjegoi faktin se pse në zonat e gjelbra të shpallura nga qeveria mundësia për t’u përhapur infeksioni është më i vogël. Sipas Binos, Shqipëria tashmë e ka kaluar valën e parë të pandemisë së COVID-19.
“Harta e këtyre zonave nuk lidhet me kulmin e epidemisë. Epidemia e ka kaluar pikun. Vala e parë e epidemisë le të themi se e kanë kaluar kulmin. Këto zona janë zona që kanë një dendësi të ulët të popullatës dhe nga ana tjetër ata nuk kanë parë qarkullim të virusit, pasi edhe aty janë kryer testime. Duke pasur një dendësi më të ulët të popullatës kemi mundësi më të pakta të infektimit”, shtoi ajo.