Italia po bëhet gjithnjë e më shumë euroskeptike, një ndjenjë e lindur nga ajo që shumë e konsiderojnë si mungesa e solidaritetit europian gjatë krizave të fundit migratore dhe rritur sot edhe nga pandemia e koronavirusit të ri.
Sipas shumë sondazheve të realizuara në prill dhe publikuar në faqen e qeverisë, 71% e italianëve mendojnë se pandemia e koronavirusit po shkatërron BE-në dhe rreth 55% do të ishin dakord për daljen nga Bashkimi Europian apo euro.
Shifra impresionuese në një vend që është shtylla e Bashkimit Europian dhe historikisht shumë eurofil.
Roma ka kritikuar disa partnerë, veçanërisht Gjermaninë dhe Holandën, për verbëri dhe egoizëm, përsa i përket një bashkimi të borxhit si pasojë e pandemisë, për emetimin e koronabondeve apo eurobondeve, që u bënë në Itali një çështje e brendshme politike.
Ekonomia italiane po vuan shumë nga kjo krizë dhe sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Prodhimi i Brendshëm Bruto italian do të ulet me 9,1% këtë vit.
Kundërshtimi gjerman dhe holandez për koronabondet për të luftuar kundër pasojave të pandemisë ka dhënë në mënyrë të pavullnetshme argumente për partitë italiane të ekstremit të djathtë dhe sovranistët.
“Qeveria italiane nuk ka një ide të qartë për fuqinë e saj negociuese sepse për momentin jemi ne që vendosim nëse Europa ekziston. Të gjithë e kuptojnë se ekziston një Europë pa Britaninë e Madhe dhe pa Italinë më shumë, mbetet vetëm një Gjermani e madhe që shtyp edhe Francën“, deklaroi Giorgia Meloni, shefja e partisë Vellëzërit e Italisë (FDI, ekstremi i djathtë), një parti e kredituar me rreth 13,5% të votave.