Kryesore Covid godet më shumë burrat dhe me pasoja më të rënda: Shkenca...

Covid godet më shumë burrat dhe me pasoja më të rënda: Shkenca zbulon pse

Që prej fillimit të pandemisë u vu re se rastet që përfundonin në fatalitet ishin më shumë meshkuj se femra. Sipas statistikave në Itali, një nga vendet me numrin më të madh të viktimave gjatë valës së parë, 57% e viktimave të Covid-19 janë meshkuj. Këtë “preferencë” gjinore të virusit, Fabrizio Pregliasco, virolog në Universitetin e Milanos, i cituar nga Corriere della Sera, e shpjegon pikë së pari me angazhimin më të madh të meshkujve jashtë shtëpisë.

“Para së gjithash, le të mendojmë për infektimin. Shkaku duhet kërkuar në faktorët socialë: burrat ende punojnë jashtë shtëpisë më shumë se gratë dhe për këtë arsye kanë kontakte potencialisht më të rrezikshme. Janë më pak të kujdesshëm për higjienën personale; ende kanë tendencën të pinë duhan më shumë se gratë dhe duhani përfaqëson një faktor rreziku për prekjen e sëmundjes dhe për një ecuri klinike më të rëndë. Te gratë, sëmundjet kardiovaskulare shfaqen me të paktën 10 vjet vonesë në krahasim me burrat, falë mbrojtjes që u ofron estrogjeni të paktën deri në menopauzë dhe madje edhe për dekadat në vijim. Pra, në rastin e Covid-it, deri në moshën 50-60 vjeç, ato mbrohen më mirë nga pasojat e rrezikshme”.

Përgjigjja imune

Por burrat dhe gratë ndryshojnë edhe në një aspekt tjetër: të parët zhvillojnë përgjigje më të mëdha imune ndaj patogjenëve, duke përfshirë viruset, kjo është arsyeja pse ata janë më pak të ndjeshëm ndaj infeksioneve nga mikroorganizmat. Gjithashtu, burrat dhe gratë gjithashtu reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj vaksinimit: gratë zhvillojnë përgjigje më intensive, me antitrupa që arrijnë shpesh në  dyfishin e atyre të burrave.

Nga çfarë varen këto dallime? Virusi përgjegjës për Covid-19  depërton në qelizat tona duke u lidhur me receptorin ACE2 (Enzima e Konvertimit të Angiotenzinës), një enzimë që rregullon vazokonstriksionin e arterieve dhe gjendet në qelizat e epitelit të mushkërive ku mbron mushkëritë nga dëmtimet e shkaktuara nga infeksionet, inflamacionet dhe stresi. Kur virusi lidhet me ACE2, ai zvogëlon shprehjen e tij dhe e largon atë nga funksioni i tij mbrojtës. Te gratë në moshë riprodhuese, estrogjeni arrin të rrisë praninë e receptorit ACE2; ndërsa te meshkujt, androgjenet duket se luajnë rol të kundërt me mbrojtjen e indeve të mushkërive.