COVID-19 i ka marrë sot jetën ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Bashkim Koplikut, në moshën 77-vjeçare.
Kopliku prej ditësh ishte shtuar në spital, pasi përgjigja e tamponit kishte dalë pozitive dhe gjendja e tij kishte nisur të përkeqësohet.
Edhe pse nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Durrësit, ish-zëvendës kryeministri nuk mundi të përmirësohej, por gjendja e tij u përkeqësua dita-ditës deri sa virusi i mori dhe jetën.
Kopliku, u lind më 15 korrik 1943 në Shkodër, dhe ka qenë me profesion inxhinier. Po ashtu Kopliku ka qenë i angazhuar në politikë pas viteve 90’ dhe ka qenë një figurë historike e PD, pasi ka qenë zv/kryeministër dhe ministër i brendshëm në qeverinë e parë të udhëhequr nga PD pas vitit 1992. Ai është zgjedhur dy herë deputet në Parlament si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera, ndër të cilat edhe kryetar i Bashkisë së Durrësit.
Është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, si dhe ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës në 1991-92.
Kopliku do të mbahet mend si një politikan me identitet të fortë politik dhe një kritik i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi dhe ish- presidentit Sali Berisha.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ai ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës.