Kryesore “Covid më pak vdekjeprurës se gripi”, Facebook i fshin komentin presidentit Trump

“Covid më pak vdekjeprurës se gripi”, Facebook i fshin komentin presidentit Trump

Duke minimizuar kërcënimin e virusit me të cilin po lufton aktualisht, presidenti Donald Trump e krahasoi, sërish, Covid-19 me gripin.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se mijëra njerëz humbin jetën çdo vit nga gripi dhe theksoi se në shumicën e popullatave ai është shumë më vdekjeprurës se koronavirusi.

“Sezoni i gripit po afrohet! Shumë njerëz, ndonjëherë mbi 100,000 në vit, pavarësisht vaksinës, vdesin nga Gripi. A do ta mbyllim vendin tonë? Jo, ne kemi mësuar të jetojmë me të, ashtu si po mësojmë të jetojmë me Covid, në shumicën e popullatave shumë më pak vdekjeprurës”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Por Facebook-u e fshiu mesazhin.

“Ne heqim informacione të pasakta në lidhje me ashpërsinë e COVID-19 dhe e kemi hequr këtë postim”, tha Andy Stone, një zëdhënës i Facebook.

Twitter kufizoi postimin e Trump, duke e shoqëruar me një shënim paralajmërues që vuri në dukje se ai shkelte rregullat e medias sociale “për përhapjen e informacionit të pasaktë dhe potencialisht të dëmshëm në lidhje me COVID-19”.

Trump kaloi tri net në spitalin ushtarak amerikan “Walter Reed” pasi doli pozitiv për koronavirus.

Ai deklaroi se shumë shpejt do të kthehet në fushatën elektorale, megjithatë, mjekët që ndoqën mjekimin e tij bënë me dije se presidenti nuk është ende jashtë rrezikut, por mund të kthehet në shtëpi.