Është rritur me 19% numri i hoteleve për shitje në Spanjë në muajin tetor, krahasuar me marsin, sipas të dhënave të portalit kryesor të pronave “Idealista”.
Ekonomia e Spanjës është shumë e varur nga turizmi dhe është goditur rëndë nga bllokimet për shkak të koronavirusit.
Në Ishujt Balearik, numri i hoteleve në shitje u rrit 84%, ndërsa për Andaluzinë rritja ishte 45%. Që nga tetori, ishin në shitje 557 hotele në vend, 101 prej tyre në Katalonjë, tha “Idealista”.
Pothuajse, një e treta e hoteleve spanjolle u mbyllën në tetor, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave të Spanjës.
Rezervimet e regjistruara të hoteleve ishin 83% më të ulëta muajin e kaluar se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, treguan të dhënat zyrtare në fillim të kësaj jave.