Aktualitet “Covid Time”/ Arrestohen dy farmacistë në Tiranë, iu gjetën ilaçe kontrabandë

“Covid Time”/ Arrestohen dy farmacistë në Tiranë, iu gjetën ilaçe kontrabandë

Dy farmacistë janë arrestuar në Tiranë gjatë aksionit të policisë të koduar “Covid Time”. Të arrestuarit janë J. D. 42 vjeç dhe J. P. 26 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në bulevardin “Zhan D’Ark”, automjetin në të cilin ndodheshin dy farmacistët. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë mjet janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të ndryshme mjekësore pa pullë fiskale, të dyshuara kontrabandë.

Ata akuzohen për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.