Sport CR7, më shumë gola sesa 117 klube nga 137 në Champions League

CR7, më shumë gola sesa 117 klube nga 137 në Champions League

Askush tjetër si ai, e këtë gjë e tregojnë edhe shifrat. Produktiviteti i Cristiano Ronaldos në Champions League është një rekord më vete.

Me dygolëshin e shënuar ndaj PSG-së, në fitoren 3-1 të “Los Blancos”-ve në “Bernabeu”, ylli portugez është bërë futbollisti i parë në historinë e këtij kompeticioni që arrin e kalon kuotën e 100 golave me të njëjtën fanellë, atë të Realit të Madridit.

Konkretisht, ai numëron 101 gola, ndërsa rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi, është ndalur në kuotën e 97 golave.

Por, nëse shton edhe 15 golat që portugezi ka realizuar në kohën kur luante me Manchester United, atëherë shifra totale shkon në 116 gola në 147 ndeshje të zhvilluara.

Një krahasim për t’u veçuar është fakti se CR7 ka shënuar më shumë gola, sesa totali i plot 117 klubeve nga 137 që kanë marrë pjesë në Champions. Këtu përfshihen Monaco, Roma e Atletico Madrid me nga 107 gola, PSV-ja me 102, Benfika dhe Manchester City me 99, e kështu me radhë.