Credins Bank ka pranuar shtyrjen e kredive për një vlerë totale portofoli 550 milionë euro vetëm në segmentin e biznesit të madh. Zëvendësdrejtoresha e departamentit të Biznesit të Madh, Besa Gjevori, shprehet se vlera e kësteve të shtyra për tre muaj në këtë segment është rreth 1 miliardë lekë. Sipas saj, deri tani janë paraqitur 72 kërkesa të klientëve, nga të cilat mbi 60% janë procesuar dhe klientët kanë marrë përgjigje pozitive.
“Që të nesërmen e vendimit për shtyrjen e kredive, kanë ardhur kërkesat e para nga klientët e biznesit të madh. Shtyrja e kredive është kërkuar nga sektorë të ndryshëm. Ndër to mund të përmendim sektorin call center, sektorin e tregtisë të shumicës së produkteve industriale, si për shembull produktet tekstile, elektrike, materialeve të ndërtimit etj. Kërkesa pë r shtyrje gjithashtu kemi pasur nga sektori i hoteleve dhe i restoranteve”. thotë zj.Gjevori.
Sipas saj, përjashtim bën sektori i tregtisë ushqimore, që ka vazhduar punën normalisht gjatë periudhës së epidemisë, si edhe sektori i tregtimit të barnave dhe produkteve të tjera farmaceutike. Gjithashtu, nga kjo situatë nuk është ndikuar shumë sektori i energjetikës dhe kryesisht hidrocentralet, që deri tani nuk kanë pasur probleme likuiditeti.
“Që nga mesi i muajit Mars, banka po punon kryesisht në shërbim të përgjegjësisë sociale ndaj klientëve të saj dhe ndaj ekonomisë, për të dhënë mbështetje në një moment të vështirë”, shprehet ajo.
Credins Bank ka nisur gjithashtu punën për ofrimin e huave mbështetur në skemën e garancisë sovrane të dhënë nga qeveria shqiptare. Nga garancia sovrane prej 11 miliardë lekësh, Credins, si banka më e madhe huadhënëse, ka përfituar 2 miliardë lekë. Zonja Gjevori thotë se brenda 10 ditësh nga nënshkrimi i kontratës me Ministrinë e Financave banka ka përgatitur të gjithë kuadrin e nevojshëm për zbatimin e skemës, madje ka miratuar paraprakisht dhe aplikimet e para të bizneseve.
“Paraprakisht, kemi aprovuar rastet e para dhe mendoj se do të kemi një ecuri edhe më të mirë gjatë ditëve në vijim. Në segmentin e biznesit të madh kemi rreth 20 aplikime. Këtu përfshihen ndërmarrjet me xhiro vjetore dhe ekspozime kredie mbi 350 milionë lekë. Klientët janë të kujdesshëm, po informohen mirë për produktin. Një pjesë kanë edhe likuiditetet e tyre për të mbuluar pjesërisht pagat. Ndaj, kërkesat për kredi me garanci sovrane mendojmë se do të jetë më e kufizuar krahasuar me aplikimet për shtyrjen e kësteve të kredive”. shotë ajo.
Për momentin, kërkesa e biznesit për kredi është e kanalizuar kryesisht brenda skemës së garancisë sovrane, por Credins Bank ka vazhduar të financojë bizneset që kanë patur nevojë për likuiditet edhe gjatë kësaj periudhe.
“Gjatë muajit Mars, kemi pasur kërkesa për kredi nga sektori i shëndetësisë dhe sidomos nga bizneset që tregtojnë produkte të lidhura me epideminë, si respiratorë, maska apo doreza. Këto aplikime janë trajtuar me procedurë të përshpejtuar, jo edhe aq në funksion të biznesit tonë, por kryesisht për t’i shërbyer sa më shpejt nevojave emergjente që ka vendi dhe sistemi shëndetësor në këtë moment. Sektorët e tjerë nuk kanë pasur financime, por kjo ka ndodhur sidomos sepse vetë bizneset janë shfaqur të kujdesshëm në këtë situatë dhe e kanë ulur kërkesën për kredi. Është e kuptueshme që sipërmarrjet po presin kalimin e krizës dhe rihapjen e ekonomisë për të vazhduar me projektet e tyre,” thotë zj.Gjevori.
Credins Bank ka mbështetur jo vetëm klientët kredimarrës për nevojat e tyre, por ka reaguar për t’i shërbyer nevojave të publikut në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga epidemia e Covid 19. Kjo përgjegjësi u reflektua në marrëveshjen e nënshkruar me Postën Shqiptare për shpërndarjen e pensioneve nëpër familje, si edhe me hapjen e llogarive të përfituesve nga mbështetja e qeverisë pa asnjë komision apo kosto.
Credins Online, 3 mijë përdorues të rinj në më pak se dy muaj.
Credins Bank ofron shërbim të plotë në të 58 degët saj, duke respektuar të gjitha rregullat e kërkuara në këtë situatë për mbrojtjen e shëndetit të klientëve dhe të stafit.
Paralelisht,banka është në shërbim të klienteve me aplikacionin bankar Credins Online, që mund të përdoret nga çdo kompjuter, celular apo tablet i lidhur me internetin. Shërbimet e ofruara ne Credins Online u shtuan përgjatë kësaj periudhe madje me kushte më të lehtësuara, falas ose me kosto simbolike. Credins Bank mundëson tashmë shërbime të reja përmes Credins Online, siç është hapja e llogarive apo depozitave pa afat pa qenë nevoja për të shkuar në degë. Gjithashtu përmes Credins Online mund te aplikohet për të patur akses të plotë ne llogaritë.
Epidemia e Covid-19 ka sjellë një rritje të përdorimit të shërbimeve të kanaleve të bankingut në distancë nga shqiptarët. Të dhënat e Credins Bank tregojnë se për periudhën Mars-Prill, numri i përdoruesve të shërbimit Credins Online, platforma e-banking e bankës, është shtuar me tre mijë klientë. Gjatë këtyre dy muajve, klientët kanë shlyer rreth 9 mijë fatura të shërbimeve utilitare përmes kësaj platforme, ndërkohë që për të njëjtën periudhë numri total i transfertave të kryera përmes kësaj platforme në Credins Bank ka arritur në 22 mijë.
Duke filluar nga data 10 Prill, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi heqjen e të gjitha komisioneve për transfertat bankare në lekë që kryhen përmes kanaleve dixhitale. Kjo iu mundëson klientëve të sistemit bankar kryerjen e të gjitha transfertave falas, pa qenë nevoja të shkojnë fizikisht në mjediset e bankave.
Credins është huadhënësi më i madh në ekonomi
Credins Bank është banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare, me një portofol kredie që në fund të vitit 2019 arriti në 103 miliardë lekë ose pothuajse 840 milionë euro. Banka vijoi rritjen e saj edhe gjatë vitit të kaluar dhe aktualisht mban 14.8% të aseteve të tregut bankar në Shqipëri, duke qenë banka e tretë më e madhe në vend. Publikuar shqiptar i ka besuar Credins Bank rreth 189 miliardë lekë ose më shumë se 1.5 miliardë euro depozita dhe ky tregues u rrit me 13% për vitin 2019. Credins Bank ofron shërbimet e veta përmes 58 degëve dhe një stafi prej 921 punonjësish.