Vetëm një ditë para ndeshjes mes Portugalisë dhe Suedisë, e vlefshme për grupet e Ligës së Kombeve, mediat luzitane kanë raportuar se Cristiano Ronaldo është prekur nga koronavirusi dhe nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës.
UEFA ka miratuar një protokoll që detyron të gjithë futbollistët dhe stafet të kryejnë testimin para çdo ndeshjeje dhe pikërisht gjatë tamponëve të kryer ditën e sotme, ylli portugez ka rezultuar i infektuar nga koronavirusi.
Aktualisht Ronaldo është izoluar menjëherë nga pjesa tjetër e skuadrës, të cilët i janë nënshtruar një tjetër testimi dhe kanë rezultuar negativë, ndaj do të stërviten rregullisht pasditen e sotme nën urdhrat e trajnerit Fernando Santos.
Ndërkohë mediat luzitane theksojnë se Cristiano Ronaldo nuk ka simptoma, është në gjendje mjaft të mirë shëndetësore dhe është vendosur në izolim, por nuk dihet kur do të kthehet në Itali.
Kujtojmë që ylli portugez u largua nga Torino pa dëshirën e drejtuesve të klubit, me të cilët pati edhe një debat para se të fluturonte drejt Lisbonës. Kjo pasi te Juventusi kishin dalë dy të infektuar, pjesë e personelit të klubit dhe sipas rregullave, të gjithë futbollistët e stafi duhej të vendoseshin në izolim për dy javë.