Kryesore Luftë virtuale Rama-Meta: Heronjtë mbaji në zemër, po mos shaj si i...

Luftë virtuale Rama-Meta: Heronjtë mbaji në zemër, po mos shaj si i dehur

Tashmë është kthyer në një luftë të vërtetë virtuale përballja mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.

Kreu i qeverisë iu rikthye edhe njëherë çështjes së dekoratave duke thënë se nuk ka as monarki as republikë në botë që iu jep dekorata heronjve të së shkuarës.

Rama i kërkon Metës të qëndrojë në krye të detyrës dhe të mos nxisë dasi për interesa personale.

“Ilir, ti duhet ta kuptosh se nuk ka pasur para teje dhe nuk do ketë pas teje, as principatë, as monarki, as republikë në botë, që të ketë dhënë dekorata për heronjtë e luftërave të shkuara! Kjo është komedia e një marrëzie të pashoqe që të bën gazin e botës dhe të republikës sonë!

Heronjtë mbaji në zemër e në mendje kur flet e vepron, duke respektuar detyrën e lartë e duke dhënë shembullin që detyra të imponon, jo duke sharë si i dehur me ata në gojë e duke nxitur dasi, sherr e rrëmuja për interesat e tua krejt personale dhe për partinë tënde të degraduar”, shkruan Edi Rama në Tëitter.

Ndërkohë që kreu i shtetit vijon të sfidojë Edi Ramën për një përballje televizive mes të dyve.

“Nuk më ke treguar akoma në cilën studio televizive do sqarohemi ballë për ballë! Mezi po të pres o trendi buburrec”, shkruan presidenti në postimin e fundit.

Më herët, presidenti Ilir Meta e ka quajtur sot Kryeministrin Edi Rama, Esat të Rilindes, duke e krahasuar me Esat Toptanin.

Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se Rama ka marrë sërish nëpër gojë Vojo Kushin dhe ka ofenduar Dëshmorët e Kombit, familjarët e tyre dhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Më tej Meta shton se “Esati i Rilindjes, pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën provoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun!

Esati i Rilindjes, armiku më i egër i socialistëve idealistë, guxoi sot të fyejë edhe simbolin e tyre dhe të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq si gjaku, që prej kohësh e ka zëvendësuar me gjethen e kanabisit dhe barin e egër të Rilindjes, që rritet në llumin e oligarkisë dhe bandave”.

Në fund kreu i shtetit e fton edhe njerëherë për debat, dhe i thotë se 3 milionë ilir janë gati në 25 prill.

“Esati i Rilindjes duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht për të dhe Sektin pa nder, pa vlera e pa Atdhe që përfaqëson, ka filluar dhe NUK DO NDALET! TRE MILIONË ILIRË NË 25 PRILL I KA GATI! Dhe nuk më thua, o trendi buburrec, kur do dalësh në përballje me mua?  Mezi po të pres!”, përfundon Meta.