Adnand Sinaj është një qytetar nga Fieri i ndarë nga ish-bashkëshortja e tij e parë, një grua nga Australia.
Ai ankohet në emisionin “STOP”, pasi nuk po gjen një zgjidhje për të marrë divorcin me këtë shtetase.
Ai ka ndërtuar një familje të re, që nuk mund ta legalizojë për shkak të pengesave burokratike.
Është ndarë në Gjykatën e Fierit në 1 korrik 2015, por vendimi i gjyqit nuk shkon në zyrat e Gjendjes Civile.
“Para shumë kohësh kam bërë një martesë me një shtetase australiane. Për shumë arsye unë vendosa të bëj ndarjen në gjykatë. Në 2015, gjykata vendosi ndarjen e kësaj martese, por që nga ajo kohë unë ende figuroj i martuar në dokumentat në Gjendjen Civile. Unë kam krijuar një jetë të re dhe më ka hapur shumë probleme më familjen time dhe të nuses.
Duke qenë se je në martesë, nesër mund të lindësh edhe fëmijë. E ke menduar sesi do të regjistrohet ky fëmi?
Nuk e di! Për këtë arsye iu drejtova edhe emisionit “STOP”, sepse këtu nuk po gjej dot një rrugëzgjidhje në Gjykatën e Fierit.
Po çfarë të thonë?
Nuk ka ardhur një letërnjoftim nga Australia, nuk është njoftuar personi në fjalë, që gjyqi është bërë dhe kam marrë ndarjen.”
Nënpunësi i Gjendjes Civile shprehet se vendimi nuk i ka ardhur ende që ta vë atë në zbatim.
“Nuk më ka ardhur vendimi, që ta zbatoj. Vendimet duhet të më vijnë zyrtarisht. Është hera e parë që mua ky vendim më bie në dorë.
Domethënë nuk jeni njohur më përpara?
Absolutisht jo! Ky është zotëria dhe ky figuron ende i martuar. Po të më vijë vendimi i gjyqit nuk do ta mbaj unë të martuar me pahir.”
Gazetarja e “Stop” kërkoi shpjegime në kancelarinë e Gjykatës, ku mori “sqarimin e hollësishëm”, se divorci përfundimtar i Adnand Sinajt është peng i letërkëmbimit të ministrisë sonë të Drejtësisë me atë australiane.
Kam në dorë një vendim të datës 02.07.2015, për një ndarje martese nga zoti Adnand Sinaj me një shtetase australiane. Pse ky vendim nuk ka shkuar akoma në zyrat e Gjendjes Civile sepse edhe në certifikatën familjare zotëria figuron i martuar?
Gjatë kësaj kohe, që zotëria ka qenë në zyrat e gjykatës unë kam qenë me leje lindje. Jam interesuar për dosjen në fjalë dhe komunikimi i këtij vendimi bëhet nëpërmjet letër- porosisë drejtuar autoriteteve austaliane të drejtësisë. Një letër e tillë është dërguar dhe ne jemi në pritje.
Po sa do të zgjasi përgjigja?
Zonjë këto vijnë nga autoritetet e huaja. Kjo është dosja dhe këtu janë të gjitha dokumentet dërguar autoriteteve të huaja.”