Sport Çudit Barcelona, merr Kevin-Prince Boateng nga Sassuolo

Çudit Barcelona, merr Kevin-Prince Boateng nga Sassuolo

Kevin-Prince Boateng te Barcelona! Një lajm që ka kapur në befasi opinionin sportiv, por që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Klubi katalanas është vënë prej kohësh në kërkim të një numri 9, si alternativë e Luiz Suarezit, por largimi i Munir e bëri edhe më emergjente këtë lëvizje.

“Blaugranat” kanë mbetur pa alternativa në stol në fazën e avancuar, ndaj drejtuesit janë hedhur në sulm për të afruar një “pykë” me eksperiencë e që do ta pranonte pa problem vendin e fundit në hierarki.

Te Barcelona kanë vendosur t’i besojnë sulmuesit ganez të Sassuolos, për të cilin është arritur marrëveshja e transferimit në formë huazimi me të drejtë blerjeje.

Drejtori i përgjithshëm i Sassuolos, Carnevali, është nisur drejt Barcelonës për të përcaktuar detajet e fundit të një marrëveshjeje të papritur, por edhe për të nisur një epokë të re bashkëpunimi me klubin katalan.

Kontakti i parë erdhi gjatë verës për Marlon, që u transferua tek skuadra emiliane, me Barçën që ka të drejtën e riblerjes. Nga ky moment të tjerë të rinj premtues të rritur në akademinë e Barcelonës mund t’i bashkohen Sassuolos në të ardhmen.