Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, në konferencën e tij të përditshme, paralajmëroi se efektet e shpërthimit të koronavirusit në ekonominë e Nju Jorkut pritet të jenë më shkatërruese sesa sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, cituar nga “The Guardian”.
Shteti i Nju Jorkut po bëhet gati për një goditje të rëndë në të ardhurat e tij, diku midis 10-15 miliardë dollarë, në një kohë që qyteti i Nju Jorkut, i cilësuar si qyteti që nuk fle kurrë, është kthyer gati në një qytet fantazmë, me bizneset jothelbësore të mbyllura dhe banorët e tij të izoluar në shtëpi.
Pandemia e ka lënë ekonominë amerikane në vendnumëro, me më shumë se 6,6 milionë që kanë humbur punët e tyre, javën e kaluar.
Gjermania: Përgjigjja e SHBA-së për krizën është shumë e ngadaltë
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Hajko Mas kritikoi përballjen e SHBA-së me pandeminë e koronavirusit duke e vlerësuar si tejet të ngadaltë.
Maas deklaroi për “Shpigel” se Kina ndërmori masa shumë autoritare”, ndërsa SHBA-ja një kohë të gjatë ka nënvlerësuar rrezikun nga virusi.
“Këto janë dy skajshmëri, ndërsa asnjëra nga këto nuk mund të jetë model për Europën”, tha Masi. Ai shfaqi shpresë se SHBA-ja do t’i rishikojë marrëdhëniet e tij ndërkombëtare në këtë periudhë.
Gjermania është njëra ndër vendet që javën e kaluar e akuzoi SHBA-në për taktikën “perëndim i egër” gjatë ndërmarrjes apo bllokimit të klientëve të cilët tashmë kanë lidhur marrëveshje për marrjen e furnizimeve themelore mjekësore për luftë kundër koronavirusit të ri.