Vangjush Dako mohon që të këtë biseduar me Astritit Avdylin në audio-përgjimin e publikuar nga gazeta gjermane “Bild”.
I ftuar në studion e Opinion në TV Klan, përballë një paneli gazetarësh, kryebashkiaku i Durrësit tha se bashkimi i këtij përgjimi me 5 të tjerët është bërë për qëllime politike.
Dako: Ai është zëri im por unë nuk jam duke folur me Astrit Avdylin.
Fevziu: Me kë je duke folur?
Dako: Nuk jam me Astrit Avdylin, gjeje ti me kë jam duke folur.
Fevziu: Unë ta gjej, çfarë pune kam unë ta gjej. Le ta gjejë Prokuroria.
Dako: A po me akuzon, ky gjermani bashkë me ty po thoni se po flas me Astrit Avdyllin, unë sfidoj dhe them se nuk jam duke folur me Astrit Avdylin.
Fevziu: Me kë je duke folur?
Dako: Gjejeni ju se me kë jam duke folur. Me Astrit Avdyllin nuk jam duke folur. Këtë ta sfidoj këtu. Nëse është e vërtetë që unë jam duke folur me Astrit Avdylin…
Fevziu: Këtë duhet ta zgjidhi Prokuroria që ka dy vjet që nuk e zgjidh këtë çështje dhe kjo na detyron ne të bëjmë edhe punën e Prokurorisë.
Dako: Ti je gazetar dhe këtu tani si prokuror flet.
Fevziu: Me kë është biseda?
Dako: Nuk është me Astrit Avdyllin, kaq di të them. Kjo tregon që një mëndje e hollë e ka manipuluar për të krijuar lidhjen me 5 telefonatat e tjera. Pra futet Astrit Avdyli, tek të 5-ta është Astrit Avdyli, tek e 6-ta me mua nuk është Astrit Avdyli. Jam duke folur me person tjetër, nuk ta them personin.
Fevziu: Kur shkuat në Prokurori ju pyetën për këtë telefonatë?
Dako: Në Prokurori kam dhënë shpjegimet e mia për 5 orë dhe nuk më kanë pyetur me detaje për telefonatat, por me rrënjë e dhëmballë për të gjitha ato që më kanë kërkuar dhe nuk janë marrë me detaje. Kanë ushtruar kontroll, kanë sekuestruar dosje të gjithë bashkisë që lidhen me aktivitetin e bashkisë në raport me këta dhe janë duke vazhduar hetimet.