Me qindra kamera sigurie janë të vendosura në ambientet e brendshme dhe të jashtme të burgjeve në Shqipëri. Pamjet që mund t’i shihni në fotogaleri i përkasin qendrave nga ku monitorohen burgjet shqiptare.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj thotë se përmes investimeve që janë kryer për fuqizimin e sistemit teknologjik në institucionet penitenciare në vend, janë arritur rezultate pozitive sa i përket monitorimit, organizimit dhe mirëfunksionimit të brendshëm.
“Këto mjete bashkëkohore që menduam t’i implementojnë në ambientet e burgjeve, kanë përmirësuar ndjeshëm kontrollin për elementët e sigurisë, sendet e ndaluara, kushtet e jetesë, kryerjen e shërbimeve, takimet me vizitorët, zbardhjen korrekte të ngjarjeve, zbatimin e orarit ditor, veprimtarinë e efektivëve të policisë, gatishmërinë e stafit dhe një sërë verifikimesh në përputhje me të gjitha të drejtat që i takojnë ligjërisht atyre që vuajnë dënimin”, shprehet Gjonaj.
Ministrja sjell edhe shembujt e burgut “Jordan Misja” në Tiranë dhe burgut të Peqinit ku janë instaluar sisteme të reja për bllokimin e valëve telefonike në ambientet e brendshme, për të vazhduar edhe me burgjet e tjera shqiptare.
“Edhe pse mundëm që t’i mbulojmë të gjitha IEVP-të me sistemin e monitorimit me kamera 24 orë, sistem skanerësh, sistem radio dhe sistem telefonik, sërish rritja më tej e sigurisë elektronike është një nga prioritetet të cilën do përpiqemi për ta shndërruar në një mekanizëm të pathyeshëm në të gjitha institucionet”, thotë Gjonaj.