Opinione Dalip Greca, ti shkrove për të gjithë… ike dhe na le ne...

Dalip Greca, ti shkrove për të gjithë… ike dhe na le ne në borxh…

In memoriam

Nga Raimonda Moisiu

Në historinë e kombit dhe të lidershipit tonë popullor, njerëzit që kanë bërë historinë meritojnë vendin e nderit në kujtesën dhe vetëdijen e identitetit kombëtar shqiptar. Të jesh gazetar, do të thotë; të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, të shndërrohesh në më shumë se një figurë popullore dhe vlerë qytetarie, të meritosh vëmendjen dhe respektin e gjithkujt. Për herën e parë emrin e Gazetarit dhe Publicistit Dalip Greca e kam lexuar në shtypin pluralist, ishin fillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri, si Kryeredaktor i gazetës “Republika” dhe më tej si gazetar në gazetat e kohës. Më pas me Dalipin jemi takuar si dy mërgimtarë në aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York, Dalipi me statusin kryeredaktorit të gazetës historike fort të njohur të shqiptarëve të Amerikës, “Illyria”, dhe më pas kaloi kryeredaktor i gazetës historike “Dielli”.

Dalip Greca i përket brezit të artë të gazetarëve të lëvizjes “New Journalism” e kapërcyellit të shekullit të kaluar – thënë ndryshe –e dy epokave, që i dhanë muzë, jetë dhe kuptim marrëdhënieve shoqërore, social-politike dhe kulturore, në fillimet e lëvizjes demokratike në vitet ’90-të, dhe bënë rrotacionin mediatik më spektakolar, profesional dhe historik të Gazetarisë Shqiptare pas viteve ’90-t, në vazhdim dhe deri më sot, -pra bënë historinë e Gazetarisë Shqiptare!

Me stilin e tij publicistik, Dalipi ishte vet-kërkues dhe i vet-dijshëm për ç’ka shkruante, i vendosur dhe i vëmendshëm për “makinën” prodhimtare të mendimit të maturuar dhe të mençur publicistik. Dalip Greca na la pas një kontribut të freskët e të patjetërsueshëm për kujtesën e kohës që jetoi, ai ringriti dhe trashëgoi ndër breza ato vlera kombëtare, atdhetare dhe patriotike të projektuara në idealin që vetë ai besonte, ai artikulonte me aftësi depërtuese dhe mjeshtërisht, me sinqeritet, entuziazëm dhe kredibilitet të çmuar, dëshmi këto të njerëzores dhe karakterit të një kryeredaktori dhe publicistit fort të njohur dhe profesionist sikundër ishte Dalip Greca.

Pena publicistike e Dalip Grecës tërhoqi vëmendjen jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan , por edhe të botës amerikane, dhe mbeti model i ndjeshmërisë që e ka vendosur atë mes integrimit të vlerave dhe e kanë shndërruar në një figurë popullore, të dashur, të admiruar dhe të shquar në krejt Diasporën Shqiptare këndej e përtej Atlantikut dhe Botën Shqiptare. Dalip Greca ishte një nga intelektualët më në zë të Diasporës Shqiptare në Amerikë dhe -një nga “mbikëqyrës-it” më të mençur dhe të respektuar që posedonte mjeshtërisht artin e publicistikës bashkëkohore shqiptare, publicist dhe gazetar fort i njohur këndej dhe përtej Atlantikut. Greca, kjo penë e spikatur e gazetarisë në momentet më të vështira të çështjes kombëtare të vendit, Kosovës dhe Çamërisë, nuk u pajtua kurrë me paligjshmërinë e padrejtësinë, porse na befasoi me universin e tij profesional, publicistik dhe interesant, -historia u përsërit sipas ndryshimit dhe zhvillimit të “epokave” falë përkushtimit intelektual, frymën e modestisë dhe të pjekurisë që e karakterizonte.

Me bujarinë dhe mbështetjen e mërgimtarëve, gazetari dhe publicisti i njohur Dalip Greca projektoi: Rilindjen e Gazetës historike të Nolit e Konicës; DIELLI!

Rilindja e kësaj gazete të themeluar nga mërgimtarët e hershëm historikë, në dekadën e parë të shekullit të kaluar, disi larg, porse afroi kufijtë mes historisë dhe krenarisë kombëtare, mes përjetësisë dhe lavdisë, pra-Vatra dhe Dielli në Amerikë!

Me Rilindjen e Gazetës historike Dielli, jo se Dalip Greca kërkonte famën, porse ai ishte unik, njerëzor, modest, dhe kreativ në rolin dhe përkushtimin e tij si publicist, studiues, gazetar profesionist, analist, atdhetar, intelektual dhe vatran në respekt të parimeve, vlerave kombëtare dhe identitetit të kombit të tij shqiptar. Dalip Greca meriton mirënjohje të thellë morale, shpirtërore dhe qytetarie nga bashkatdhetarët, kolegët dhe krejt bota shqiptare, veçmas për Rilindjen e Gazetës DIELLI të Nolit e Konitzës, për dritën e veprave, shembujve e penës studiuese publicistike dhe dorëshkrimeve që ai na la pas. Ai shkroi për të gjithë, solli në vëmendje dhe në kujtesë, gdhendi me respekt, mirënjohje dhe dashuri, figura historike dhe kombëtare që kanë bërë historinë, shkroi për vatranët e rinj, që me vullnet, guxim e dashuri punojnë e jetojnë, për integrimin e tyre, të vlerave kombëtare dhe historike ashtu si kanë bërë vatranët e vjetër me Nolin e Konicën në krye. Dalip Greca shkroi për emigrantët e suksesshëm, ata të vjetër dhe të rinj të Diasporës dhe… iku në amëshim duke na lënë ne në borxh….

Dalip Greca ka shkruar dhe botuar me sukses mijra faqe publicistike në gazetarinë shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane, ka lëvruar të gjitha zhanret e publicistikës, që nga kronika, shkrime dhe reportazhe, kolumna, intervista, esse, përsiatje, analiza dhe studime të hollësishme, historike dhe monografike; ka mbuluar rubrikën e politikës, redaktor dhe kryeredaktor gazetash, ku dëshmohet qartshëm veprimtaria e tij e palodhur në shërbim të publicistikës dhe gazetarisë shqiptare.

I pranishëm në median dhe shtypin shqiptar, shtypin shqiptaro -amerikan, në penën publicistike të Grecës lexohet plotësisht jeta dhe filozofia e saj, ndjeshmëria kombëtare dhe e identitetit shqiptar, e vlerave kombëtare dhe çështjes kombëtare, guximi për ta shprehur dhe ruajtur atë. Erudicioni i Grecës si publicist, Kryeredaktor i Gazetave historike të shqiptarëve të Amerikës “Illyria” dhe “Dielli” ka hedhur dritë në shumë aspekte të jetës social-ekonomike e politike dhe kulturore të Diasporës Shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, ka sjellë në fokus afër e larg jetën e shumë figurave popullore dhe njerëzve të shtresave të ndryshme, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, një ndihmesë e domosdoshme dhe e pazvendësueshme për t’i sjellë në kohën e duhur dhe pasqyruar realitetin dhe jetën me të mirat e të metat e një shoqërie demokratike. Me ritmin e pasur të krijimtarisë së tij dhe me madhështinë e bukurisë së përditshmes njerëzore, Greca ndërtonte qartshëm të kaluarën, pasuronte të tashmen dhe i hapte udhë të ardhmes, dëshmi e një kontributi të freskët i njerëzores dhe shpirtërores, emocionuese dhe edukative, duke e vlerësuar Kryeredaktorin Dalip Greca – si Ikona e MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË! Teksa do të kthejmë kokën pas ndër vite ,edhe ndër epoka; emëri i Kryeredaktorit historik dhe i Publicistit të njohur të Gazetës Dielli, Dalip Greca, do të zërë vend në arkivën e “Muzeut historik” të integrimit të vlerave kombëtare dhe kockës së fortë intelektuale të mëncurisë e kujtesës jo vetëm të Diasporës Shqiptaro-Amerikane por edhe të kombit shqiptar në tërësi, midis editorëve historikë që themeluan e drejtuan Diell-in ndwr kohëra, që nga Noli dhe Konica, Qerim Panariti, Peter Prifti, Andon Frashëri, Dr. Athanas Gegaj, Bilal Xhaferi, prof. Arshi Pipa, Kristo Floqi, Anton Cefa, etj.

Mbase e kam vërtet të vështirë që në pak rreshta të përshkruaj kontributin e shquar të Ikonës së Medias Shqiptare në Amerikë, Dalip Grecës, i cili na fali kohë nga koha e tij, i cili bashkërendoi ngjarjet, vitet, botimet e vjetra dhe të reja, si një mbikëqyrës dhe punëtor i palodhur i informacionit përkatës i arkivës dhe bibliotekës së Vatrës.

Dalip Greca iku në amshim pranë Nolit, Konicës, editorëve vatranë që tashmë janë në amshim, mbase aty janë mbledhur bashkë, dhe Dalipi me atë sqimën e mençur u tregon historinë e paskëtaj të Vatrës, Diell-it dhe përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar, ashtu si patën bërë “Ata” shumë patriotë dhe atdhetarë të tjerë dikur, Dalipi u tregon për kontributin e shquar të tyre dhe 110 vjetorin e Vatrës dhe Rilindjen e Gazetës Dielli!.

Prehu në Paqen e Amshuar, Dalip ynë!

Ti kurrë nuk ke për t’u harruar!

Të qoftë Dheu i Amerikës i Lehtë, Mik, Shok, Koleg, Baba, Bashkëshort Shëmbullor!

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Florida, USA