Departamenti i Shtetit thotë se “është në dijeni” të komenteve të Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe diplomatëve amerikanë dhe se “është duke e vëzhguar situatën”.
Pas sugjerimit të djeshëm të ambasadës amerikane në Tiranë që Shqipëria t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh me një gjuhë të ashpër duke thënë “Jo më shtet të ambasadave, por shtet të së drejtës”.
Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”./VOA