Dashuria është e verbër…. epo këtë duhet ta dijë mirë një 36-vjeçare nga Tirana, e cila kur kuptoi se po mashtrohej e zhvatej nga i dashuri nuk ka pritur gjatë, por është paraqitur në polici.
Vajza quhet Evis T., ndërsa personi që rrezikon të merret i pandehur për mashtrim Erold Balla. I akuzuari për një kohë të gjatë ka jetuar në Kinë ku edhe ka krijuar familjen, por nisur nga njohjet familjare ai më tej ka shfrytëzuar vajzën, duke i zhvatur para në shumën e 9 mijë eurove.
Evisi tregon: “Familjet tona njiheshin. Për Eroldin kisha dëgjuar, por nuk e njihja personalisht, pasi ai jetonte jashtë vendit. U takuam rastësisht bashkë me familjen dhe aty folëm me Eroldin për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e biznesit, ai në Kinë dhe unë këtu, pasi sipas tij bizneseve u nevojiteshin shërbime të prokuruara në Kinë. Për shkak se ai ishte i martuar, njohja jonë nuk kishte si qëllim krijimin e një lidhjeje”.
Gazeta Si mëson se vajza tregon se që prej vitit 2014 të dy kishin komunikim përmes telefonit dhe vetëm në kuptim shoqëror. Por, ndërkohë siç shton vajza, dy vite më pas ata nuk patën më komunikim, pasi kishin rënë dakord për këtë gjë. “Duke qenë se komunikimet tona ishin të shpeshta, ramë dakord që të ruanim balancat e jetës së secilit”. Por, ndërsa koha rridhte dhe ata të dy nuk komunikonin me njëri-tjetrin, në vitin 2017, në “Viber” Eroldi e ka njoftuar se ishte në proces divorci dhe i ka propozuar për nisjen e një historie. Duke qenë se, siç rrëfehet e mashtruara, gjatë muajve në vazhdim ka kuptuar se miku i saj ishte në gjendje të rënduar, ajo ka marrë vendimin që të udhëtojë drejt Kinës me qëllim për t’i qëndruar pranë shokut të saj, që nuk ishte aspak i qetë.
“Pa u nisur në Kinë, Eroldi më shkroi në e-mail se përveç të tjerave gjendej edhe në vështirësi ekonomike, pasi i kishin sekuestruar asetet e tij bankare në Hong Kong dhe me këtë rast ai më kërkoi një vlerë monetare për ta ndihmuar, pasi nuk kishte asnjë person tjetër ku të mbështetej. Pasi u njoha me e-mailin, fola edhe në ‘Viber’ me të dhe e vura në dijeni se do bëja ç’të mundesha për t’i dhënë një shumë”, deklaron më tej e dashuruara në dëshminë që e ka siguruar Gazeta Si.
Më 11 dhjetor vajza nis udhëtimin drejt Kinës dhe me vete merr edhe 2 mijë euro. Është pritur në aeroport dhe sapo është takuar i ka dhënë shumën në formën e huasë. Ka qëndruar me të riun dy javë për t’u rikthyer në Tiranë një ditë para Krishtlindjeve. Sërish i ka mbërritur kërkesa e radhës.
“Më kërkoi sërish lekë. 4 mijë euro me argumentin se i duheshin për procedurat e zhdoganimit dhe se llogaritë vazhdonte t’i kishte të ngrira. Në datën 27 dhjetor vajza ka nisur shumën përmes Western Union dhe përveç shumës, vajza ka paguar edhe vlerën e transaksionit në shumën e 160 eurove.
Kur koha kalonte dhe lidhja e tyre nuk po shkëlqente aspak, në janar 2018 Eroldi i kërkon sërish para me pretekstin se jetesa në Kinë ishte vështirësuar dhe se i duheshin të holla për t’u kthyer.
“Në këto kushte në formën e huasë i dërgova sërish edhe 3 mijë euro të tjera dhe pagova edhe vlerën e transaksionit prej 120 eurosh. Vlera e borxhit në total shkoi 9 mijë euro si pa kuptuar. Kur u kthye në Shqipëri i dhashë suportin tim sepse kishte nevojë edhe për t’u integruar dhe për të gjetur punë”, thotë ajo. Vajza i ka marrë një numër telefoni nën emrin e saj. Por, në përpjekjet për t’i gjetur edhe një zyrë, vajza ndërkohë kishte nisur të reflektonte, “pasi kuptova se u kishte shumë personave detyrime”. Pasi ka gjetur një shkak për t’u shkëputur, ia ka komunikuar vendimin me e-mail duke i kujtuar ndërkohë edhe borxhet që ai i kishte.
Policia ka sekuestruar dhjetë faqe print të komunikimeve dhe mesazheve mes të rinjve, mes tyre edhe SMS ku ai i lutej për borxhe. Fjalët e të dyshuarit janë të zgjedhura me kujdes, të tilla që të shkaktojnë ndjesinë e një miqësie të madhe. Gazeta Si disponon njërin nga mesazhet e postuara nga i riu.
“Në këto ditë kam nevojë në një urgent need për likuiditet. Problemi është se nuk dua t’ju them të shtëpisë, pasi nuk di çdo mendojnë e do t’i mërzis me traplliqet që po më ndodhin këto tre-katër muajt e fundit. Gjasat janë që një pjesë të parave të t’i kthej përpara se të vish këtu nëpërmjet borxhlinjve, apo edhe gjatë periudhës që do jesh në Kinë, pasi jam i sigurt që borxhlinjtë do t’i zvarrisin dërgesat. Edhe njëherë do të lutesha të mos e vendosësh veten në kurrfarë mendimi apo shqetësimi, në rast se nuk mundesh, pasi ti ke qenë, je dhe do mbetesh FOTONI IM. Thjesht jam në det me dallgë, por siç thua edhe ti “The sun will rise”. Ndjehem shumë i turpëruar që po bëj këtë kërkesë, por më mirë të skuq një faqe tek ty… best regards Erold Balla. Your business partner in China”
Por, i kallëzuari deklaron se gjatë kohës që Evisi ishte në Shangai, ajo i kishte kërkuar borxh tetë mijë euro, pasi ajo në këtë periudhë kishte një biznes në fushën e kozmetikës.
I riu tregon: “Ja dhashë shumën cash… dorazi, në këtë moment ishim të dy vetëm për vetëm. Më pas, secili u kthye në jetën e tij”.
Por, organet e hetimit me gjithë deklaratën e gjatë që ka dhënë i dyshuari, besojnë fort se ai ka shfrytëzuar marrëdhënien e mirëbesimit, duke zhvatur të renë dhe si prova ka komunikimin e gjatë mes të dyve dhe veçanërisht kërkesat e tij për huanë. E gjitha kjo çështje është tanimë e hetuar mes dhjetëra çështjeve ku mashtruesit përdorin formula të ndryshme për të përfituar sa më shumë./SI