Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është shprehur i gatshëm të dekretojë një datë të re për zgjedhjet vendore në Shqipëri, nisur nga kriza politike.
Kryeministri ishte i pari që nuk e mirëpriti këtë ide. “Shumica qeverisëse nuk ka asnjë pëlqim lidhur më asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve”, shprehej Edi Rama.
Ekspertëtë zgjedhor, Kristaq Kume dhe Afrim Krasniqi, ndajnë mendime të ndryshme për mundësinë që ka Presidenti për të firmosur një datë tjetër votimesh.
“Presidenti i Republikës, veçanërisht në kushtet kur ne nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese, në qoftë se vlerëson se zgjedhjet e 30 qershorit janë të shmangura nga parimet dhe rregullat sipas të cilave duhet të zhvillohet një proces zgjedhor demokratik, mund të marrë iniciativën dhe të ridekretojë datën e zgjedhjeve”, shprehet Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ.
“Presidenti nuk ka hapësirë kushtetuese për të caktuar një datë të re. Por Presidenti në çdo rast, nëse palët politike bien dakord për një datë të re, Presidenti gati-gati është i detyruar të respektojë vullnetin politik, pavarësisht se Kushtetuta nuk është e qartë në këtë pikë”, shprehet Afrim Krasniqi, ekspert për çështjet zgjedhore.
Të dy ekspertët bien dakord, se problem mbetet fakti se Kushtetuta parashikon se zgjedhjet për pushtetin vendor bëhen një herë në 4 vjet.
“Ky kufizim kushtetues mund të konsiderohet si jo pengues përballë asaj ç’ka mund të sjellë shtyrja e zgjedhjeve. Pra, realizimit të një procesi zgjedhor pas kësaj në përputhje dhe sipas kërkesave të proceseve zgjedhore që zhvillohen në shoqëritë demokratike”, thotë Kume.
Por, Krasniqi referon një tjetër parashikim ligjor, atë të qeverisjes vendore, që parashikon se zëvendësimi i kryetarit të bashkisë kryhet kur betohet kryetari i ri i zgjedhur. Në këto kushte, zgjidhja sipas tij, është vetëm një marrëveshje shumë-përfshirëse politike.
“Automatikisht me këtë ligj është plotësuar boshllëku i periudhave kur mund të mos bëhen zgjedhjeve brenda periudhës 4 vjeçare. Nga ana tjetër, Kodi Zgjedhor parashikon se data më e fundit për të bërë zgjedhje është data 30 qershor dhe data më e afërt është 15 shtatori”.
Por a ka vullnet për dialog nga politika? “Në Shqipëri kompromisi duket shumë i largët edhe për arsye se njëri nga liderët duhet të largohet nga jeta politike. Ai që bën një hap pas në këtë rast do të duhet të marrë një faturë ose të dy një faturë”, thotë Krasniqi.