Trajneri Gianni De Biasi është vlerësuar sot nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me një çmim mirënjohjeje. Pasi ka marrë çmimin, italiani foli për mediat e pranishme duke thënë se tashmë Shqipëria është një kombëtare e kërkuar nga trajnerët të cilët e shohin si një mundësi për t’u reklamuar.
“Presidenti Duka do të bëjë një kërkim të kujdesshëm dhe nuk do të lërë pas dore asnjë detaj. E rëndësishme është që trajneri i ri të jetë një zgjedhje e mirë që Shqipëria të rritet dhe të përmirësohet. E kam ende të nxehtë telefonin, sepse Shqipëria është bërë një kombëtare interesante. Sot kuqezinjtë janë një skuadër që u japin mundësinë trajnerëve të reklamohen, sepse Shqipëria ka mundësi të kualifikohet në Europianin e ardhshëm dhe janë të shumtë ata që interesohen”, – u shpreh De Biasi.
I pyetur për emrat e mundshëm që mund ta zëvendësojnë, ai zgjodhi të përgjigjej me battue, duke përmendur tre trajnerë italianë të niveleve më të lartë: “Lippi, Capelo ose Trapattoni.” Nesër pritet që De Biasi të dekorohet edhe nga Presidenti në detyrë Bujar Bishani, ndërsa ish-trajneri i Kombëtares shqiptare ka deklaruar se edhe do të votojë, meqë është shtetas shqiptar.