Gianni de Biasi, 61-vjeçar italian, ish-trajneri i Shqipërisë për 5 vite e gjysmë, u prezantua si trajneri i ri i Deportivo Alaves deri në fund të sezonit, me opsion për të rinovuar edhe një sezon të dytë.
Ceremonia e prezantimit të tij u zhvillua në zyrat e klubit. “Unë jam shumë i lumtur, kisha ndjenjën për të qenë këtu prej një kohe të gjatë, sepse e njoh Sergio, drejtorin e sporteve, prej vitesh”, – tha italiani.
Ai ka vendosur që të marrë me vete në staf edhe dy ndihmës me të cilët punoi në kombëtaren shqiptare, zv. trajnerin Marko Veroneze dhe përgatitësin atletik Arturo Bele.
Ka qenë i paevitueshëm komenti i De Biasit për përfaqësuesen shqiptare.
“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë në Shqipëri. Largimi nga Shqipëria ishte një akt dashurie ndaj të gjithë Shqipërisë. Me Spanjën e Italinë që janë pak para nesh, vetëm pak, jo shumë (qesh), nuk do të shkonim në Rusi. Mendova se trajneri i ri do të përgatitej më përpara për atë që vjen në edicionin tjetër.
Para ndeshjes me Maqedoninë, të parën pas Europianit, u thashë: ‘Djem, ju mendoni se jeni tani lojtarë Europiani, që ia keni dalë, etj. Por ju jeni vetëm lojtarët e sezonit të kaluar, por pa dëshirën për të fituar që kishit në sezonin e kaluar. A e dini përse? Se mendoni se jeni perfekt, se jeni lojtarë futbolli, se mendoni se jeni që tani më të mirët. Nuk është kështu. Ju mendoni në mendjen tuaj që do të bëni të njëjtën gjë. Jo, bëni më pak, në mënyrë të pandërgjegjshme, bëni më pak.’”
De Biasi mbërriti në Vitoria të premten për të nënshkruar, u kthye në Itali për të marrë gjërat e tij dhe të dielën ishte në kryeqytetin e Alava. “Më pëlqeu ekipi kundër Real Madridit. Në jetë, motivimi bën ndryshimin, por nuk mjafton vetëm kjo, sepse kemi nevojë për më shumë gjëra, – shtoi ai. – Më shumë e rëndësishme për mua është ekuilibri dhe çfarë do të bëjmë.
Gazetarët flasin për 4-4-2, 4-2-3-1 dhe gjëra të tilla, por futbolli është diçka dinamike”.
Trajneri italian do të zhvillojë sot pasdite sesionin e tij të parë të stërvitjes. “Jam shumë i lumtur që jam këtu, në një klub të vështirë dhe me diçka të veçantë. Gjëja më e rëndësishme është ekipi, së bashku mund ta arrijmë qëllimin, që është shpëtimi në La Liga. Duhet të jemi një ekip. Çelësi është që të jemi të gjithë së bashku: ekipi, tifozët, klubi. Në fushë duhet të jemi të zgjuar, të jemi më të zgjuar se rivali. E fillojmë të shtunën kundër Levantes (ekipi i tij në 2007-2008), një rastësi e këndshme,” – tha ai.