Sport De Ligt: Nuk e prisja të isha në stol, por e respektoj...

De Ligt: Nuk e prisja të isha në stol, por e respektoj vendimin e trajnerit

Matthijs De Ligt, një nga blerjet e verës te skuadra e Juventusit, madje një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit bardhezi, qëndroi në stol në ndeshjen që kampionët e Serisë A luajtën të shtunën ndaj Parmës, në javën e parë të kampionatit (1-0 për Juven). Një zgjedhje që ka befasuar të gjithë, përfshi edhe vetë lojtarin.

Në një deklaratë për të përditshmen holandeze “AD”, mbrojtësi është shprehur i habitur nga kjo situatë: “Nuk e prisja që ta nisja kampionatin nga stoli. Preferoja që të luaja titullar. Gjithsesi, e respektoj vendimin e trajnerit”.

Më pas, mbrojtësi ul tonet dhe pranon: “Duhet të jem realist, jam ende duke u ambientuar me skuadrën. Chiellini dhe Bonucci për shumë vite janë konsideruar si dyshja mbrojtëse më e mirë në botë. Këtë sezon duhet të luftoj shumë për të siguruar një vend si titullar”.