Mino Raiola ka fituar përsëri. Transferimi i De Ligt nga Ajax te Juventusi do të jetë, në fakt, një tjetër kryevepër profesionale e agjentit të fuqishëm. Nëse bardhezinjtë e fituan garën e fortë me PSG dhe Barcelona, ata i kanë shumë borxh Raiola-s, i cili, sipas “Sky Sport”, ka imponuar futjen e një klauzoleje prej 150 milionë euro në kontratën e 19-vjeçarit.
Kjo lloj klauzole nuk lejohet në Ligue 1, ndaj për këtë arsye nuk u finalizua marrëveshja me kampionët francezë. Përfshirja e klauzolës, natyrisht, do të lejojë që Raiola ta transferojë De Ligt përsëri, kur të dëshirojë, por në të njëjtën kohë do t’i garantojë Juventusit fitime të mëdha, mbi 70-75 milionë, që do t’i paguajë Ajax-it për të blerë mbrojtësin.
Kësaj shifre, megjithatë, sipas raporteve nga “Sky Sports”, duhet t’i shtohet një komision i pasur, i cili do të paguhet nga Juventusi për Raiola, në shumën e rreth 11 milionë eurove. Ky komision ishte determinant për ta bindur agjentin e njohur, që ta sillte De Ligt në Torino. Vetë mbrojtësi holandez do të fitojë 12 milionë euro neto në sezon (kontrata do të jetë 5-vjeçare), duke përfshirë bonuset e ndryshme.
Për finalizimin e marrëveshjes mungojnë shumë pak gjëra. Zyrtarizimi duket të jetë një çështje ditësh, ose ndoshta orësh. Raiola ka fituar përsëri, gjithashtu po feston edhe Juventusi.
“Idhulli im ka qenë Ronaldo”
Në një intervistë për “Voetbal International” De Ligt shprehet se, Cristiano Ronaldo ka qenë nga lojtarët e tij të preferuar, kur ishte i vogël: “Kohët e fundit kam pasur një takim me miqtë e mi të fëmijërisë, me të cilët luanim futboll kur ishim të vegjël. Ndërkohë që po flisnim për momentet e bukura të fëmijërisë, po tregonim për kohën kur unë doja të isha si Kristiano Ronaldo, madje bluzën e vetme të futbollit që kisha ishte pikërisht e tij, kur luante tek Mançester Junajtid”, shprehet 19-vjeçari.
Darka me miqtë e tij të fëmijërisë ka ndodhur pikërisht pas dy sfidave me Juventusin, në Ligën e Kampionëve. De Ligt ndihej shumë i emocionuar pas dy sfidave kundër Juventusit, për shkak se kishte takuar idhullin e tij. Sa emocionuese do të ishte, në rast se ai do të luante me portugezin në të njëjtën skuadër. Për mbrojtësin e Ajaksit interesohen, Barcelona, Mançester Junajtid, PSG, dhe Juventus. Por, mesa duket e ardhmja e tij pritet të jetë në Itali, më saktë tek “Zonja e vjetër”.