Në përgjigje të interesit të gazetarëve mbi çështjen e Gjykatës Kushtetuese, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ka deklaruar se opozita mbështet qëndrimin e presidentit Ilir Meta.
Bardhi thekson se Rama ka tendenca të qarta për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, me zhvillimet e fundit është cenuar besimi i qytetarëve te Reforma në Drejtësi.
Nga ana tjetër, numri dy i PD, shpreh se është domosdoshmëri ngritja e shpejtë dhe bërja e Gjykatës Kushtetuese funksionale.
“Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese. Për këtë arsye, vijimi i këtij debati vetëm sa shtyn bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e zvarrit atë dhe pamundëson që Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit. Sa më gjatë pa Gjykatë Kushtetuese, sa më gjatë me gjyqtarë nën presion, aq më shumë përfiton Rama me vendimet e paligjshme, aq më shumë mbetemi peng në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”, thotë Bardhi.
Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, Partia Demokratike shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese.
“Duke patur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët”, thekson më tej Bardhi.