Një shqiptar i dëbuar për kryerjen e një sërë vjedhjesh ka përfunduar në burg pasi ishte kthyer sërish në Britani. Këtë herë, ai u kap me një orë në dorë, të cilën sapo e kishte vjedhur. Dorian Puka, 23 vjeç, u dënua fillimisht me 9 muaj në vitin 2016 dhe më pas u dëbua, pasi u kap në përpjekje për të hyrë në një pronë, ndërkohë që të zotët e shtëpisë ishin me pushime në Francë.
David Pearce mori në telefon fqinjin e tij pasi pa shqiptarin dhe një person tjetër nëpërmjet kamerave teksa po përpiqeshin të hynin në shtëpinë e tij në Twickenham, në jug perëndim të Londrës.
Sipas Daily Mail njëri prej autorëve u arratis në një BMW, por Puka u arrestua duke u fshehur në një shkurre afër pronës në Gusht 2015.
Ai u dënua me 9 muaj burg në Janar 2016, në Gjykatën Isleworth Crown. Gjykatësi urdhëroi dëbimin e tij, që ndodhi në Nëntor të vitit 2016. Por brenda 12 muajsh, Puka u rikthye në Britani dhe jetonte ilegalisht në Greenford.
Më 16 Nëntor, vitin e kaluar policia po patrullonte në jug-perëndim të Londrës, kur ata ndaluan Pukën në rrugë dhe e kapën atë me një orë të shtrenjtë që kishte vjedhur.
Puka pranoi dy akuza për vjedhje në gjykatën Kingston Crown më 15 Dhjetor dhe dënua me 2 vjet e gjysmë në një seancë të mëvonshme në të njëjtën gjykatë.
Gjëja më e çuditshme në këtë ngjarje, është: si arriti ai të kthehej përsëri në Britani. Ekspertët thanë se duhet të ekzistojnë disa të dhëna për personat e dëbuar, por mesa duket kjo nuk funksionon në Shqipëri. Ai mbase mori një avion dhe u nis me pasaportën e tij, por askush nuk e vuri re, shkruan DailyMail.