Manchester United e ka nisur sezonin e ri në Premier League me një fitore 4-0 të arritur kundër West Ham, por rezultati mund dhe duhej të kishte qenë më i thellë duke parë rastet e shumta të humbura nga lojtarët e Jose Mourinho.
Dominimi i të kuqve ka qenë total, me miqtë që kanë bërë vetëm një gjuajtje në portë gjatë gjithë ndeshjes.
Ylli i takimit ka qenë Romelu Lukaku, i cili është blerë këtë verë nga United për 85 milionë euro.
Belgut i janë dashur 33 minuta për të treguar se “Djajtë” kanë bërë gjënë e duhur duke investuar tek ai.
Ish-lojtari i Everton ka marrë një pasim të bukur nga Marcu Rashford dhe ka goditur menjëherë portën me një të majtë të fuqishme, duke mos i lënë asnjë mundësi portierit Joe Hart. Topi ka përfunduar në rrjetë pasi ka goditur shtyllën. Ka qenë përsëri ai që ka goditur në minutën e 53-të të pjesës së dytë pas një asisti të marrë nga Mkhitaryan, duke u bërë sulmuesi i 4-t në historinë e United që shënon një dygolësh në debutimin e tij në Premier League me këtë ekip.
Në dy minutat e fundit kanë ardhur dy gola të tjerë nga Marital (88′) dhe Pogba (90′), me Manchester që ka reaguar në mënyrën e duhur pas humbjes së pësuar në Superkupën e Europës kundër Real Madrid.