Po shijonin pushimet e ëndrrave, të mrekulluar nga madhështia e fjordeve norvegjeze, por për rreth 1200 pasagjerë dhe personel të një kroçiere, orët e fundit po shndërrohen në një makth të vërtetë.
Sipas Forcave detare të Norvegjisë, pak orë më parë një anije kroçierë me emrin Viking Sky, ka dhënë alarmin e kuq për kapitanerinë e portit më të afërt ku ndodhet, në veri të qytetit Molde.
Anija ndodhet momentalisht rreth 2 kilometra nga toka, dhe ka motorët e fikur, në një vend i njohur si Hustadvika, i njohur për erën e fortë dhe ujërat e cekëta të mbushura me shkëmbinj.
Sipas autoriteteve, mungesa e motorëve dhe era që fryn me 70 kilometra në orë po e çojnë gjigandin e detit drejt një rreziku jo të vogël.
Forca të shumta shpëtimi po i drejtohen zonës, dhe të paktën 100 pasagjerë, janë transportuar nga ajri, por shumica ndodhet ende në mëshirën e dallgëve të detit.