Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të presidentit Meta ditën e sotme në Komisionin Hetimor, ku tha se institucioni që drejtonte kishte informacione se ka pasur një plan për djegien e Kuvendit në protestën e 8 qershorit.
Sipas Metës, kjo kishte qenë një nga arsyet që e kishte shtyrë të dekretonte shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në një deklaratë për mediat, numri 2 i PD-së, Bardhi, tha se PD-ja dhe opozita e bashkuar nuk kanë pasur asnjë plan për djegien e institucioneve pavarësisht atë që përfaqësojnë ato.
Ai tha se PD i ka dënuar me forcë skenaret e dhunshëm të organizuar nga Rama dhe theksoi se komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit bëhet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të kryeministrit Rama.
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit.
Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.
Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se ‘nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri’. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut.
Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare.”