Kryetari i PD Lulzim Basha reagoi në lidhje me deklaratën e ambasadores së SHBA Yuri Kim në lidhje me reformën zgjedhore.
“Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do bëjë gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha në një prononcim të shkurtër për mediat.
Ambasadorja e SHBA Yuri Kim deklaroi se edhe sot u bë një progres i jashtëzakonshëm. Ajo përgëzoi partinë në pushtet dhe tha se ka ardhur koha për opozitën dhe Lulzim Bashën që të baraspeshojë të gjithë faktorët dhe të thotë “PO” për popullin shqiptar dhe të thonë “PO” për Shqipërinë. Kim deklaroi se topi është në fushën e tij dhe se e ardhmja është dorën e tij.
Yuri Kim: “Ishte një ditë e gjatë. 9 orë dje dhe bëmë shumë progres. Kishim 9 orë të tjera sot dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm. Në një negociatë që është kaq e rëndësishme për Shqipërinë, çdo pale dhe partie i kërkohet të japë që Shqipëria të fitojë. Çdo palë dha dhe çdo palë fitoi. Populli shqiptar do fitojë më shumë. Çdo palë dhe çdo parti dha dhe më duhet ti jap merita të veçanta partisë në pushtet. Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegje dhe ata do të jepnin më shumë. Dhe ata e bënë. E përgëzoj partinë në pushtet për atë që kanë bërë.
Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje që e fut Shqipërinë në një rrugë drejt BE. Realizuam masat që kërkoi ODIHR. Bëmë disa hapa domethënës që nuk janë rekomanduar nga ODIHR, por që mund ta shtyjnë përpara Shqipërinë. Ka ardhur koha për opozitën dhe mikun tim Luli Basha që të baraspeshojë të gjithë faktorët dhe të thotë “PO” për popullin shqiptar dhe të thonë “PO” për Shqipërinë. Topi është në fushën e tij. E ardhmja është dorën e tij”.