Skafi që i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare, Jonada Avdiaj, dyshohet se është në pronësi të shefit të policisë Arjan Tase.
Burime për News 24, informuan se Arjan Tase, i cili shkaktoi tragjedinë e rëndë duke përplasur për vdekje vajzën në sy të familjarëve të saj mesditën e martës, nuk e kishte deklaruar në emër të tij mjetin lundrues.
Por mësohet se ai e kishte vendosur në pronësi të një personi nga Elbasani, ndërkohë që skafi ishte i tij.
Ish-shefi i Komisariatit të Himarës deklaroi gjatë dëshmisë në polici pas arrestimit se skafin ia kishte marrë djalit të xhaxhait të tij në Porto Palermo.
Megjithatë, rezulton se Arjan Tase ishte i përfshirë në këtë aktivitet së bashku me kushëririn e tij.
Ndërkohë policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë rreth pronësisë së motorskafit dhe kush e drejtonte biznesin në bregdetin e Potamit.
Tase ka deklaruar para efektivëve se skafi ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim duke goditur 7-vjeçaren.
Ai është shprehur se në mëngjes kishte shkuar me makinë në Porto Palermo për t’i marrë djalit të xhaxhait mjetin lundrues dhe se vetë kishte leje për drejtimin e skafit.
Tase kishte udhëtuar me gomone nga Porto Palermo në drejtim të Potamit ku do merrte gruan dhe fëmijët për t’i nxjerrë shëtitje në det, por shkaktoi tragjedinë.