Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka publikuar një memorandum për t’i ofruar ndihmë Italisë në luftën kundër pandemisë së Covid-19.
Në dekretin e liderit amerikan, Italia referohet si një nga aleatët më të ngushtë dhe me të vjetër të SHBA.
“Një Itali, të cilës koronavirusi i ka marrë më shumë se 18 mijë jetë njerëzore dhe ka çuar sistemin shëndetësor drejt kolapsit dhe që kërcënon ekonominë të rrëshqasë në recesion të thellë”, shkruhet në dekret.
Më tej ai vijon: “Edhe pse prioriteti i qeverisë amerikane, në radhë të parë, shkon për qytetarët amerikanë, të ndihmosh Italinë, do të ndihmojë në luftimin e epidemisë dhe në të njëjtën kohë tregon lidershipin amerikan përballë fushatave dezinfomuese kineze dhe ruse”.
Mes të tjerave në dekret thuhet se ndihmat do të shërbejnë dhe për të ulur rrezikun e importimit të rasteve të reja me koronavirus nga Europa drejt Shteteve të Bashkuara.
Në paketën e ndihmës amerikane për Italinë parashikohen pajisje dhe medikamente mjekësore. Gjithashtu personeli ushtarak amerikan në Itali do të ndihmojë në ndërtimin e spitaleve fushore, për transportin e karburantit dhe ushqimeve dhe shërbimet e telemjekësisë.
Në memorandum, Trump autorizon, mes të tjerash administratën e tij për të mbështetur ringritjen e ekonomisë italiane.