Legjenda bardhezi, Alessandro Del Piero nuk mund të rrijë pa folur për Juventusin e tij dhe e bëri këtë edhe në Bali të Indonezisë, ku ishte në kuadër të “Champions League Tour”, një aktivitet i mbështetur nga UEFA.
“Ndaj Atleticos ishte një përmbysje e madhe, por kush e njeh këtë klub, e kupton që nuk ishte befasi. Ky Juventus po bën historinë dhe herët a vonë, Championsi do të mbërrijë. Ronaldo është marrë për Championsin, por edhe nëse nuk ia dalin, nuk është dështim”, tha Del Piero.
“Pinturikio” ka qenë në fushë në vitin ’96, kur Juventusi fitoi Championsin për herë të fundit, pikërisht në finalen kundër Ajaxit, me të cilin bardhezinjtë do të përballen në çerekfinalet e këtij edicioni.
“Atëherë ka qenë një epokë tjetër dhe futbolli ishte ndryshe. Ajaxi ishte një skuadër shumë më e mirë dhe talentet e saj më pas pushtuan futbollin botëror. Megjithatë këtë edicion më bëri përshtypje mënyra se si e eliminuan Realin, ndaj për Juventusin nuk do të jetë aspak shëtitje”, u shpreh Alex Del Piero.