Andrea Pirlo po kërkon formacionin e duhur për Juventusin e tij. Pas barazimit 1-1 kundër Verona, bardhezinjtë gjetën disa siguri, por gjithashtu ngritën shumë dyshime për të tashmen dhe mënyrën e vendosjes në fushë. Alessandro Del Piero u përpoq ta këshillojë ish-shokun e tij të skuadrës. Për “Sky Sport” ish-numri 10 dhe kapiteni i Juventusit propozoi 4-2-4 si një zgjidhje për t’u testuar:
“Pirlo po kërkon zgjidhje. Ai do ta ndryshojë ekipin edhe sipas kundërshtarëve, ndaj nuk përjashtohet që të ndryshojë edhe skemën. Juve në pjesën e jashtme, me Kulusevski dhe Chiesa, ka potencial të madh për të shtyrë përpara. Unë, gjithashtu, shoh mundësinë e të luajturit me dy mesfushorë qendrorë, jam për një modul të mundshëm 4-2-4. Nëse keni shumë potencial në sulm, duhet ta shfrytëzoni atë. Skema 4-2-4 në këtë moment mund të jetë më produktive”.
Del Piero, gjithashtu shtoi se do të donte të shihte Kulusevski dhe Chiesa si “pistonë” të mesfushës, me Dybala afër Ronaldos dhe Morata si alternativë: “Kulusevki në të djathtë, Chiesa në të majtë dhe Dybala-Ronaldo, ose Dybala-Morata në sulm. Në Europë, sigurisht duhet luajtur kështu. Blerja e Morata duhet të merret në konsideratë, nëse kujtojmë që Ronaldo në Madrid kishte Benzema si partner dhe bëri një punë të shkëlqyer”.