Ashtu siç ishte paralajmëruar, gazetari i Abc News Artan Hoxha ka publikuar videon e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla duke thithur kokainë në një ambient publik.
Gazetari tha se pamjet janë kapur nga kamera sigurie dhe momenti është fiksuar disa kohë më parë.
Ndër të tjera gazetari bëri edhe një thirrje ndaj policisë duke thënë se duhet të ketë kujdes ndaj personave të caktuar në Bulqizë pasi janë kërcënuar familje me jetë për videon në fjalë.
“Unë bëj një profesion që e kam zgjedhur ta bëj dhe e di shumë mire që të përballesh dhe të publikosh të vërtetat që shkaktojnë dëme sigurisht që do të ketë reagime. Dje gjatë gjithë ditës dhe darkës, sot për arsye shëndetësore nuk mbërrita dot te Enkeli. Por ka pasur shumë ndërhyrje. Ti qëndrosh ballas të vërtetës, është e vështirë, unë do ti kërkoj meqë jam në studio policisë së qarkut Dibër që të ketë në vigjilencë dhe në shikim para syve sot se nëse do të ketë ngjarje pas publikimit të videos. Kanë kërcënuar me jetë njerëzish dhe kanë kërcënuar me jetë familje vetëm që të mos i publikojnë. Janë njerëz që ata mendojnë se janë futur në këtë histori”, tha Hoxha, duke shtuar se edhe vetë personalisht ka marrë kërcënime të formave të ndryshme.