CLEVELAND, Ohio-Fabian Mihaj, një shqiptar i cili ishte pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës, u dënua të enjten me 5 vjet burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
38-vjeçari, sipas mediave amerikane, ishte pjesë e një bande e cila kishte futur sasi të mëdha të MDMA-së (ekstazi) dhe të marijuanës së cilësisë së lartë nga Kanadaja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mihaj punonte me motrat shqiptare Jonida dhe Denisa Alicka, si dhe Rinald Turhanin, një trafikant droge që jetonte pranë Detroit dhe e sillte drogën në zonën e Cleveland.
Autoritetet e arrestuan Mihajn në Kanada, në Dhjetor të vitit 2016. Ai u deportua në SHBA në Prill të vitit të shkuar. 38-vjeçari e pranoi akuzën e trafikut të drogës në Shtator dhe bashkëpunoi me prokurorinë, duke arritur një marrëveshje me akuzën.
Megjithatë gjykata rekomandoi që Mihaj të bënte dyfishin e dënimit për të cilin kishte rënë dakord me prokurorët federalë. Por prokurorja Marisa Darden tha se kishte rënë dakord në uljen e dënimit për shkak disa faktorëve.
Fillimisht Mihaj bëri 17 muaj burg në Kanada, teksa priste ekstradimin drejt SHBA. Me gjasë kjo periudhë nuk do t’i quhet kur të shkojë në burg, sqaroi Darden. Prokurorja tha gjithashtu se Mihaj përballet me dënim edhe në New York, pasi kishte shkelur masën e dhënë në një tjetër çështje federale. Në fund, Darden tha se qeveria është e shqetësuar se nuk do të mund ta provonte çështjen në gjyq, kryesisht për shkak se motrat Alicka kishin frikë të dëshmonin.
Ajo tha se kishte biseduar me të dyja shqiptaret dhe ato ishin shprehur të rezervuara për të dhënë dëshminë e tyre, për shkak se i druhen faktit se jeta e tyre mund të vihet në rrezik.
Në përfundim, pasi dëgjoi se Mihaj e kishte respektuar marrëveshjen e arritur me prokurorinë, gjykatësja Patricia Gaughan, pranoi kërkesën e kësaj të fundit dhe vendosi ta dënojë 38-vjeçarin me 5 vjet burg. Duke qenë shtetas shqiptar ai mund të deportohet pasi të kryejë burgun në Amerikë.
Mihaj ishte në një lidhje dashurie me Jonida Alickën dhe të dy punonin si oficerë policie në rezervë në Linndale, përpara se ajo të arrestohej në 2016-n. Ai ishte gjithashtu partner me Turhanin, i cili ishte pronar i një kompanie kamionësh dhe ishte lideri i organizatës kriminale.
Gjatë kohës që jetonte në Ohio, Mihaj punonte sëbashku Turhanin për të lëvizur 3-5 kilogramë marijuanë të cilësisë së lartë çdo dy javë, mes Michigan dhe Cleveland.
Ai shkoi në Kanada në Mars të 2015, pasi i druhej faktit se mos ishte nën hetim nga policia dhe mund të deportohej. Një moment që mbërriti në Kanada, Mihaj përdori kontaktet që kishte në Toronto për të vijuar trafikun e drogës, duke ndihmuar Turhanin që të fuste marijuanë dhe ekstazi në SHBA nga Kanadaja.
Teksa u njoh me vendimin, Mihaj kërkoi falje për sjelljen e tij. Hetimi i FBI çoi në dënimin e 5 personave në total, të cilët i pranuan akuzat. Jonida dhe Denisa Alicka, të cilat u dënuan respektivisht me nga 41 dhe 46 muaj burg, u liruan nga burgu në Tetor.
Hetuesit thanë se motrat Alicka udhëtonin shpesh në shtete të tjera për të transportuar drogë. Me paratë që fitonin, motrat bënin një jetë luksoze. Ato kishin një apartament në qendër të rrugës Center Ridge, kishin kryer ndërhyrje kirurgjikale, bënin udhëtime të shtrenjta në Miami e Los Angeles, ndërsa kishin në pronësi automjete luksoze.
40-vjeçari Turhani aktualisht po vuan dënimin me 9 vjet burg, bashkëpunëtori i tij Leka Konini, i cili ishte shofer kamioni, po vuan dënimin me 41 muaj burg.