Një i ri japonez është dënuar me vdekje pasi vrau 19 persona me aftësi të kufizuara në vitin 2016. Satoshi Uematsu tha se njerëzit me aftësi të kufizuara të cilët nuk mund të komunikojnë nuk kanë të drejta njerëzore.
30-vjeçari, i vrau të 19 personat në një qendër përkujdesjeje, pranë Tokios, vend ku kishte punuar disa kohë më parë. Ky rast është një nga më të rëndët në Japoni dhe ka shokuar të gjithë njerëzit pasi këto lloje krimesh në vend janë shumë të rralla.
Në një intervistë për mediat japoneze Uematsu tha se “nuk kishte arsye për të jetuar për njerëzit me probleme mendore dhe se krimin e bëri për hir të shoqërisë”.
Gjykata e Yokahoma-s e dënoi me varje në litar. Ndërkohë Uematsu më herët ka deklaruar se nuk do ta apelojë verdiktin. Mirëpo avokatët e tij kanë deklaruar se 30-vjeçari ka qenë nën influencën e drogave gjatë kohës së krimit.
“Ai abuzonte me marijuanën dhe vuante nga sëmundje mendore”, tha një prej avokatëve.
Më 26 Korrik 2016 Uematsu u fut në qendrën e përkujdesjes dhe i pajisur me disa thika filloi të sulmonte një nga një rezidentët që po flinin. 19 viktimat ishin të moshave nga 19 deri në 70 vjeç. 25 të tjerë mbetën të plagosur, 20 prej të cilëve rëndë.
Pak pas sulmit, 30-vjeçari u dorëzua në stacionin e policisë dhe që prej futjes në qeli, ai nuk ka shprehur asnjëherë pendesë.