Një denoncim është bërë nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit ka depozituar në emër të Partisë së Lirisë një kallëzim me pretendimin i kanë grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike dhe një pajisje DVR (hard disc).
Sipas Petrit Vasilit që ka publikuar në rrjetet sociale kallëzimin, grabitja ka ndodhur gjatë mesnatës, nga persona që ende nuk janë identifikuar, që gjithashtu kanë shkaktuar dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.
“Partia e Lirisë është përballur me një ngjarje të tipit mafioz, karakteristike e “Rilindjes”, që kërkon të Qeverisë vetëm përmes shantazhit dhe presionit.
Në zyrat e saj kanë hyrë në mesnatë persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një paisje DVR (hard disc) si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.
Partia e Lirisë në respekt të ligjit ka depozituar denoncimin e kësaj ngjarjeje në Prokurorinë e Tiranës për hetimin dhe identifikimin e autorëve.
As kjo tentativë dhe asnjë presion nuk e ul dot ritmin dhe vendosmërinë e Partisë së Lirisë për t’u përballur me “Rilindjen” dhe mashat e saj, por përkundrazi shumëfishon energjitë e saj në betejën për përmbysjen e narkoqeverisjes rilindëse”, Petrit Vasili, i cili ka bërë publikuar edhe dokumentin e dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës.